Morea Vejsa, vajza e producentit të njohur dhe të ndjerë Fisnik Vejsa, ka realizuar së fundmi një dokumentar të veçantë kushtuar figurës së babait të saj.

Ajo ka publikuar në Instagram trailerin e dokumentarit, si dhe disa fotografi nga prapaskenat, ndërsa në mbishkrim ka ndarë edhe më shumë detaje për rrugëtimin emocional dhe personal që e shoqëroi këtë projekt.


“Kam kaluar një vitin e fundit duke punuar në projektin më të veçantë – një dokumentar të dedikuar për babanë tim. E udhëhequr nga rruga që ai la pas dhe duke e çuar përpara vizionin e tij, ky dokumentar u bë vendi im i sigurt; më mbajti të fortë përmes humbjes dhe më lejoi t’i ikja realitetit”, ka shkruar Morea.

Ajo ka shprehur gjithashtu falënderim për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë realizimit të dokumentarit, duke theksuar se ky projekt është krijuar në nderim të një njeriu që la gjurmë te secili që e njohu.

“Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që qëndruan pranë nesh në këtë rrugëtim dhe ndihmuan që ky projekt të marrë jetë – për atë që la një shenjë te të gjithë ata që e takuan. Së bashku, e kthyem dhimbjen në diçka të përjetshme…”, përfundon ajo.

Dokumentari pritet të sjellë një këndvështrim intim dhe të sinqertë mbi jetën, punën dhe trashëgiminë e Fisnik Vejsës, duke e kthyer këtë realizim në një homazh emocional nga e bija, që synon ta mbajë gjallë kujtimin dhe vizionin e tij. /Telegrafi/