"Do ta jap jetën për të" – si e shohin përzgjedhësi Scaloni dhe 25 shokët e skuadrës Lionel Messin


25 bashkëlojtarët e Lionel Messit dhe përzgjedhësi Lionel Scaloni rrëfejnë madhështinë e kapitenit argjentinas, nga lideri në dhomën e zhveshjes te fenomeni që frymëzon një komb të tërë.
Lionel Messi nuk është vetëm një futbollist për Argjentinën. Për shokët e tij të skuadrës ai është simbol, udhërrëfyes dhe një figurë që tejkalon kufijtë e sportit.
Në prag të finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës, MARCA ka mbledhur dëshmitë e përzgjedhësit Lionel Scaloni dhe 25 futbollistëve të “Albicelestes”, të cilët kanë ndarë emocionet dhe respektin e tyre për një lojtar që shumë prej tyre e konsiderojnë më të mirin e historisë.

Në Argjentinë shpesh thuhet se Diego Maradona kishte krijuar një “mit” të tijën, ndërsa Messi ka miliona “besimtarë”. Ata që luajnë pranë tij janë “fëmijët e D10S”, të bindur se kanë privilegjin të ndajnë fushën me një legjendë të gjallë.
Në moshën 39-vjeçare, Messi vazhdon të shkruajë histori. Pas viteve të arta me Barcelonën dhe Paris Saint-Germain, tashmë te Inter Miami, ai ka udhëhequr Argjentinën drejt një tjetër finaleje të Kupës së Botës – të tretën në karrierën e tij (2014, 2022 dhe 2026).
Me 8 gola dhe 4 asistime në këtë turne, Messi është ende në garë për Topin e Artë të nëntë dhe për titullin e golashënuesit më të mirë të Botërorit. Ai ka 21 gola në histori të Kupës së Botës, vetëm një më pak se Kylian Mbappé.

Por për shokët e tij, statistikat nuk tregojnë gjithçka. Për ta, Messi është diçka që nuk mund të matet.
Lionel Scaloni
“Ai është më i miri i të gjitha kohërave, pa dyshim. Është shumë e vështirë që dikush të arrijë nivelin e tij. Gjëja më e mirë që mund të na ndodhë si tifozë të futbollit është që ai të luajë sa më gjatë dhe ne ta shijojmë. Edhe kundërshtarët kënaqen duke e parë.”
“Ai do të jetë më i miri në histori për aq kohë sa të dëshirojë. Ajo që transmeton Messi është e vështirë të shpjegohet. Ka një aurë rreth tij, sepse gjithçka që bën duket natyrale”.

Emiliano Martínez
“Dua të jap jetën time për të, dua të vdes për të. Ke një superyll që të shpëton në çdo ndeshje. Nuk do të ketë kurrë një lojtar tjetër si Messi. Ai është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Është unik dhe nuk do të ketë një tjetër si ai në të ardhmen”.

Juan Musso
“Lamine Yamal është një yll, një lojtar fantastik me talent të jashtëzakonshëm. Por ajo që ka bërë Leo është diçka që nuk ekziston. Ai ka luajtur për shumë vite në një nivel që nuk e shohim sot. Nuk ka më asgjë për të provuar”.
Geronimo Rulli
“Leo është më i miri në botë dhe e dëshmon këtë gjatë gjithë kohës. Çdo gjë që bën, e bën mirë. Ajo që më ka habitur më shumë është numri i madh i ndjekësve që ka. Ishim në Uashington dhe po udhëtonim drejt Nju Jorkut, kur një karvan me rreth 100 makina na ndiqte vetëm për ta parë Leon”.
Gonzalo Montiel
“Ai është më i miri. Mundohem ta shijoj duke e parë, sepse është një lojtar unik. Vetëm ta shohësh në fushë është diçka speciale”.
Lisandro Martinez
“Nuk ka nevojë ta krahasojmë me askënd. Ai është i vetëm në majë. Gjëja e vetme që mund të bëjmë është ta shijojmë. Ai është lideri dhe kapiteni ynë. Kur e sheh duke luftuar, duke vrapuar dhe duke dhënë gjithçka, duhet të japësh 200% për të. Jemi krenarë që ndajmë këtë histori me Leon”.

Marcos Senesi
“Të ndash një skuadër me Leo Messin është një privilegj. E sheh çdo ditë në stërvitje dhe pastaj e sheh çfarë bën në ndeshje. Sa herë shkoj në kombëtare, shokët e mi te Bournemouth më kërkojnë t’u blej fanella të Messit. Ironikisht, unë vetë nuk kam një të tillë”.
Nicolás Tagliafico
“Messi ka qenë gjithmonë kështu. Ai është kapiteni ynë, lideri ynë, ai që na shtyn përpara dhe na jep diçka ekstra. Kur je në fushë e di që e ke atë pranë dhe kjo të jep besim se mund të bësh edhe pak më shumë”.
Cristian Romero
“Të kesh Messin na jep qetësi. Nëse ai nuk do të ishte mirë, unë do të vrapoja dyfish për të. Ai është gjithçka për ne, simboli ynë, flamuri që na tregon rrugën. Prania e tij ndikon edhe te kundërshtarët”.
Nicolas Otamendi
“Ajo që njerëzit shohin nuk është asgjë krahasuar me atë që shohim ne duke luajtur pranë teje. Nuk është vetëm një vend i tërë, ti je historia e këtij sporti. Të dua, miku im. Nuk mendoj për fundin e karrierës së Messit. Dua ta jetoj ditë pas dite dhe të shijoj lojtarin më të mirë në histori”.

Rodrigo De Paul
“Leo të bën të duash të shkosh në luftë nëse ta kërkon. Jam shumë i lumtur që ai po e shijon këtë periudhë dhe vazhdon të na ndihmojë.. Ai nuk mendon për rekordet personale. Gjithmonë vendos grupin përpara dhe për ne kjo është diçka e jashtëzakonshme”.
Exequiel Palacios
“Do të donim që Messi të qëndronte në kombëtare gjithë jetën. Ai na sjell shumë neve dhe gjithë futbollit. Të jesh pranë tij në stërvitje dhe ndeshje është gjëja më e mirë që ekziston”.
Giovani Lo Celso
“Ai është unik dhe i pazëvendësueshëm. Të kesh Leon si shok skuadre dhe të ndash fushën me të është një privilegj”.
Leandro Paredes
“Të kesh Messin është një avantazh i madh. Ai vazhdon të na surprizojë në çdo stërvitje dhe çdo ndeshje. Do të përpiqemi ta shijojmë çdo ditë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Ai është një person spektakolar”.

Thiago Almada
“Kur isha nën 20 vjeç dhe e pashë për herë të parë në stërvitje me ekipin e parë, ishte diçka e çmendur për ne. Ai është fenomenal. Por mbi të gjitha, Leo është një person normal, me të cilin mund të flasësh”.
Nico Paz
“Është e vështirë të kuptosh atë që po jetoj. Të luash një Kupë Bote me Argjentinën dhe të ndash skuadrën me Leon është diçka që të gjithë do ta dëshironin. Zëvendësimi i tij është i pamundur. Ai është më i miri në histori dhe nuk do të ketë kurrë një tjetër si ai”.
Alexis Mac Allister
“Ai e bën gjithçka më të lehtë. Kur Leo është në fushë, kundërshtarët kanë më shumë frikë, dhe kjo është normale. Nuk ka më fjalë për ta përshkruar. Ai është lojtari më i rëndësishëm i kësaj skuadre”.
Enzo Fernández
“Është e pabesueshme ajo që frymëzon ai. Leo është shembull për të gjithë ne. Mënyra si përballet me vështirësitë dhe këmbëngul gjithmonë tregon karakterin e tij”.

Julian Alvarez
“Është nder të luash me të. Nuk ka shumë për të thënë, sepse të gjithë e shohim. Për 20 vite ka qenë më i miri në botë dhe tashmë më i miri në histori. Edhe në këtë moshë vazhdon të tregojë magjinë e tij”.
Nico González
“Leo na jep atë ndjenjën: ‘Do të jap jetën time për ty, vëlla’. Për shkak të asaj që krijon dhe ambicies që ka”.
“Ndonjëherë e shoh në stërvitje dhe përpiqem të imagjinoj se çfarë do të bëjë. Pastaj ai bën diçka krejt tjetër dhe vetëm them: Faleminderit Zotit që e kemi”.
Giuliano Simeone
“Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të japim gjithçka dhe të vrapojmë për Messin dhe për Argjentinën. Kush nuk do të donte të luante me lojtarin më të mirë në historinë e futbollit? Të shohësh çdo ditë duke u stërvitur të bën të të shkëlqejnë sytë”.
Lautaro Martínez
“Ai është lojtari më i mirë në histori. Duke parë Leon, mënyrën si punon dhe përmirësohet çdo ditë, kupton pse është aty ku është. I thashë në fushë se duhet të qajë, sepse e meriton. Ai është udhërrëfyesi ynë dhe ai që na ndihmon gjithmonë".

Për shokët e skuadrës, Lionel Messi nuk është vetëm kapiteni i Argjentinës. Ai është arsyeja pse shumë prej tyre besojnë se çdo ëndërr është e mundur. /Telegrafi/









































