"Dirty Blonde" i Bebe Rexhës debuton si albumi i tretë më i dëgjuar në Spotify në nivel global


Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, po shijon suksesin e madh të albumit të saj më të ri, “Dirty Blonde”, i cili ka debutuar zyrtarisht si albumi i tretë më i dëgjuar i momentit në Spotify në nivel global.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë gjiganti i transmetimit të muzikës, Spotify, përmes një publikimi në rrjetin social Instagram, ku janë renditur 10 albumet debutuese më të dëgjuara në botë për periudhën 12-14 qershor.
Në krye të listës renditet albumi “You Seem Pretty Sad for a Girl So in Love”, i ndjekur nga “Withness” i ANOTR në vendin e dytë, ndërsa “Dirty Blonde” i Bebe Rexhës pozicionohet në vendin e tretë, duke konfirmuar rikthimin e fuqishëm të artistes shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Suksesi i albumit nuk është kufizuar vetëm në rang global. Në klasifikimin e albumeve debutuese më të mira të momentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bebe Rexha renditet gjithashtu në vendin e shtatë, duke dëshmuar interesimin e madh të publikut për projektin e saj të ri muzikor.
“Dirty Blonde” është albumi i katërt në karrierën e Bebe Rexhës dhe njëherësh projekti i saj i parë si artiste e pavarur, pasi në vitin 2025 ajo i dha fund bashkëpunimit me shtëpinë e saj të mëparshme diskografike.
Albumi përmban 13 këngë dhe tashmë ka prodhuar disa prej këngëve më të komentuara të momentit. Mes tyre spikat “New Religion”, bashkëpunimi me grupin legjendar elektronik Faithless, i cili është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritikët.

Po ashtu, pjesë e albumit është edhe bashkëpunimi me DJ-in francez me famë botërore, David Guetta, i titulluar “Sad Girls”, këngë e cila po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në platformat muzikore.
Me këtë debutim të suksesshëm në Spotify, Bebe Rexha dëshmon se vazhdon të mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të industrisë muzikore ndërkombëtare, duke forcuar edhe më tej pozitën e saj në tregun global pas më shumë se një dekade suksesi në skenën amerikane dhe botërore. /Telegrafi/











































