Një shpërthim i fuqishëm pranë një restoranti luksoz në Moskë ka lënë të paktën tre të vdekur dhe 21 të plagosur, ndërsa mediat ruse raportojnë se objektivi i sulmit dyshohet të ketë qenë një gjeneral i lartë rus.

Sipas raportimeve, restoranti Balzi Rossi ishte mbyllur për publikun mbrëmjen e së shtunës për shkak të një feste private, ku po festohej ditëlindja e një gjenerali rus.


Gazetari rus Oleg Kashin ka pretenduar se bëhej fjalë për komandantin e përgjithshëm të Forcave Ajrore dhe Hapësinore të Rusisë, Aleksandr Chayko. Megjithatë, autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.

Sipas të dhënave të deritanishme, një grua e paidentifikuar ka tentuar të hyjë në restorant, por është ndaluar nga një roje sigurie në hyrje. Në ato momente ka shpërthyer mjeti shpërthyes që ajo mbante me vete.

Nga shpërthimi humbën jetën gruaja, rojtari i sigurisë dhe një person tjetër, ndërsa të paktën 21 persona mbetën të plagosur.

Policia dhe shërbimet e emergjencës kanë rrethuar zonën, ndërsa rrugët që çojnë drejt restorantit vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të hetimeve. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi motivin e shpërthimit apo identitetin e autorit. /Telegrafi/