eksperti-banner

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, do të largohet përkohësisht nga kampi i kombëtares në Kupën e Botës 2026 pas vdekjes së nënës së tij.

Tekniku francez do të kthehet në Francë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe, për pasojë, nuk do të jetë në stol në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Norvegjisë, që luhet të premten në Boston.


Lajmi u konfirmua nga Federata Franceze e Futbollit (FFF), e cila bëri të ditur se Deschamps e mori me dhimbje lajmin për ndarjen nga jeta të nënës së tij. Ngjarja vjen vetëm një ditë pas fitores bindëse 3-0 të Francës ndaj Irakut në Filadelfia.

Guy Stéphan do të drejtojë ekipin

Në marrëveshje me presidentin e FFF-së, Philippe Diallo, Deschamps ia ka deleguar përkohësisht drejtimin e ekipit ndihmësit të tij afatgjatë, Guy Stephan.

“Didier Deschamps nuk do të jetë në gjendje të drejtojë seancat stërvitore para ndeshjes Norvegji–Francë dhe nuk do të jetë i pranishëm në stol gjatë takimit të së premtes”, thuhet në komunikatën zyrtare të Federatës Franceze.

Largimi i përkohshëm i Deschamps vjen në një moment pozitiv për Francën në Kupën e Botës. “Blutë” kanë fituar dy ndeshjet e para të grupit, ndaj Senegalit (3-1) dhe Irakut (3-0), duke siguruar një pozicion të favorshëm për kualifikimin.

Një tjetër goditje personale për trajnerin francez

Për trajnerin 57-vjeçar, kjo është një tjetër humbje e rëndë personale. Në maj të vitit 2022, gjatë një grumbullimi të kombëtares franceze, ai humbi edhe të atin.

Federata Franceze e Futbollit u bëri thirrje mediave dhe publikut të respektojnë privatësinë e familjes Deschamps në këtë periudhë të vështirë.

“Në këtë moment jashtëzakonisht të dhimbshëm, kërkojmë nga të gjithë të tregojnë respekt, përmbajtje dhe diskrecion maksimal”, thuhet në deklaratën e FFF-së. /Telegrafi/

telegrafi sport app