LAJMI I FUNDIT:

Derbi londinez i takon Arsenalit – The Gunners mposhtin Chelsean në Stamford Bridge

Derbi londinez i takon Arsenalit – The Gunners mposhtin Chelsean në Stamford Bridge

Arsenali ka fituar 1-0 në udhëtim te Chelsa në kuadër të javës së 36-të në Ligën Premier.

The Gunners kanë arritur të shkojnë në pushimin e 45 minutave të parë në epërsi, duke shfrytëzuar mjaftë mirë një gabim nga The Blues në mbrojtje.


Ishte minuta e 16-të, kur Jorginho bëri një pasim të gabuar për te Kepa Arrizabalaga që kishte lëshuar portën.

Portieri spanjoll arriti me vështirësi ta ndalonte atë top që po shkonte në drejtim të portës, por ai përfundoi në këmbët e Pierri-Emerick Aubameyang.

Sulmuesi gabonez asistoi më pas për Emily Smith Rowe, me talentin e Topçinjve që shënoi me lehtësi.

Chelsea më pas me disa kundërsulme krijoi disa shanse shënimi, mirëpo Christian Pulisic e Mason Mount dështuan t’i konkretizonin.

Në 45 minutat e dytë, Chelsea kishte posedimin e topit dhe shanset për gol, mirëpo kjo e fundit nuk erdhi.

Ishte minuta e 61-të, kur The Blues tundën rrjetën e mysafirëve me anë të Christian Pulisic, por VAR-i sinjalizoi se amerikani ishte në pozitë jashtë loje.

Deri në fund, blutë ishin sërish ata që sulmonin, mirëpo mbrojtja e rivalit lokal ishte e pathyeshme.

Pas javës së 36-të, Chelsea gjendet në vendin e katërt me 64 pikë, derisa Arsenali është ngjitur në të tetin me 55 sosh. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore