De la Fuente thumbon Argjentinën para finales: Spanja do të luajë futbollin e vet, pa provokime


Trajneri i ekipit kombëtar spanjoll të futbollit, Luis de la Fuente, tha përpara finales së Kupës së Botës kundër Argjentinës se ekipi i tij duhet t'i qëndrojë besnik stilit të lojës, sepse kjo është ajo që do t'i afrojë më shumë fitimit të titullit.
Ndeshja për titullin e kampionit botëror do të luhet të dielën, duke filluar nga ora 21:00 dhe tashmë De La Fuente ka ‘provokuar’ kundërshtarët argjentinas.
“Jam shumë i qetë dhe i bindur se, nëse i qëndrojmë besnikë idesë që na solli këtu, do të jemi më afër arritjes së qëllimit tonë. Ne kemi potencial të madh futbollistik. Nuk do të ndiheshim rehat në diskutime apo provokime. Ne dimë të luajmë futboll, t'i japim kuptim lojës sonë kur e kemi topin, dhe kur nuk e kemi, të jemi të disiplinuar, agresivë dhe ta rimarrim shpejt", ka thënë fillimisht De la Fuente.
Trajneri spanjoll theksoi se një nga pikat më të forta të ekipit është besimi i ndërsjellë dhe njohuria e gjatë e lojtarëve, shumë prej të cilëve ai i ka drejtuar që nga ekipet kombëtare të të rinjve. Ai shtoi se kjo është ajo që bën diferencën dhe se atmosfera në ekip është e shkëlqyer.
"Jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, por duam të bëjmë një hap tjetër dhe të fitojmë Kupën e Botës. Çdo ekip do të përdorë pikat e tij të forta. Gjyqtari është ai që duhet të zbatojë rregullat dhe të mos lejojë situata që kalojnë vijën", theksoi trajneri spanjoll.
Ai iu referua edhe gjendjes shëndetësore të Lamine Yamal dhe Pedro Porro, të cilët janë stërvitur veçmas gjatë ditëve të fundit për shkak të problemeve të vogla muskulore, duke shprehur besimin se të dy do të jenë gati për finalen. Ai vlerësoi veçanërisht Yamal, nga i cili pret një tjetër performancë të shkëlqyer.
"Jam i sigurt se ai do të luajë një tjetër ndeshje fantastike në këtë Kupë Bote. Ai duhet të lirohet nga presioni në mënyrë që të shijojë ndeshjen dhe të tregojë gjithçka që mundet", përfundoi trajneri i Spanjës. /Telegrafi/












































