eksperti-banner

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka reaguar ndaj raportimeve që lidhin Marc Cucurellën me një transferim të afërt nga Chelsea te Real Madridi, duke shprehur mbështetje të plotë për mbrojtësin e majtë.

Sipas Fabrizio Romano, Real Madridi ka arritur një marrëveshje verbale me Chelsean për transferimin e Cucurellës, me një tarifë që raportohet të kalojë shifrën e 50 milionë eurove. Mbrojtësi spanjoll pritet t’i bashkohet gjigantëve të La Ligës pas përfundimit të Kupës së Botës, me marrëveshjen që tashmë është dakorduar mes të gjitha palëve, përfshirë edhe lojtarin.


Ky transferim shihet si një nga lëvizjet kryesore të Real Madridit për të forcuar krahun e majtë të mbrojtjes në sezonet e ardhshme.

I pyetur nga mediat pas angazhimeve të fundit të Spanjës, Luis de la Fuente u tregua i rezervuar, por pozitiv në qëndrimin e tij.

“Është një lajm i mirë. Nëse ai është i lumtur, edhe unë jam i lumtur”, u shpreh trajneri spanjoll, duke shmangur polemikat dhe duke theksuar rëndësinë e mirëqenies së lojtarit.

Kalimi i Cucurellës te Real Madridi shënon një rikthim të mundshëm të tij në La Liga pas eksperiencës në Ligën Premier me Brighton dhe Chelsean. Ky hap pritet gjithashtu të ndikojë pozitivisht në rolin e tij brenda Kombëtares së Spanjës në të ardhmen. /Telegrafi/

telegrafi sport app