Darwin Nunez ka befasuar të gjithë duke bërë publik transferimin e Ronald Araujos te Liverpooli, përpara se klubi anglez të publikonte zyrtarisht lajmin.

Sulmuesi uruguaian, i cili u largua nga Liverpooli verën e kaluar për t’iu bashkuar Al-Hilalit, përdori rrjetet sociale për t’i uruar mirëseardhjen bashkëkombësit të tij te ish-klubi.


Sipas raportimeve, Liverpooli ka arritur marrëveshje me Barcelonën për transferimin e Araujos në formë huazimi për një sezon, me klubin anglez që do të ketë edhe opsionin për ta blerë përfundimisht mbrojtësin verën e ardhshme për rreth 47 milionë funte.

Megjithatë, përderisa Liverpooli ende nuk e kishte bërë zyrtar transferimin, Nunez vendosi të “marrë situatën në duart e tij”.

Ai publikoi një fotografi së bashku me Araujon dhe i dërgoi një mesazh emocionues, duke konfirmuar në mënyrë indirekte se mbrojtësi do të jetë lojtari i ri i Liverpoolit.

“Të uroj më të mirat në këtë klub të madh, mik. Jam shumë i lumtur që do të mund ta përjetosh dashurinë dhe mbështetjen që tifozët e Liverpoolit kanë. Ata janë të veçantë dhe do të të bëjnë ta ndjesh këtë. Tani edhe ti je një ‘Red’. Nga larg, gjithmonë të uroj më të mirat. VAMO ARRIBA!”.

Postimi i uruguaianit shkaktoi shumë reagime te tifozët e Liverpoolit, të cilët e vunë re menjëherë se Nunez kishte njoftuar transferimin përpara kanaleve zyrtare të klubit.

Një tifoz shkroi me humor: “Darwin që e njofton Araujon para klubit apo ndonjë gazetari është jashtëzakonisht qesharake. Të dua, Darwin”.

Një tjetër tifoz shtoi: “Nunez, do të të duam përgjithmonë. Një herë ‘Red’, gjithmonë ‘Red’”.

Araujo pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen e Liverpoolit, veçanërisht pas largimit të Ibrahima Konates, i cili iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë.

Uruguaiani 27-vjeçar iu bashkua Barcelonës në vitin 2018 nga Boston River dhe gjatë periudhës së tij në La Liga ka bërë 213 paraqitje, duke fituar tre tituj të La Ligës dhe pesë trofe të kupave vendore.

Araujo është vlerësuar edhe individualisht, pasi është përfshirë në ekipin më të mirë të sezonit në La Liga në vitet 2022 dhe 2024./Telegrafi/

telegrafi sport app