Presidenti i UFC-së, Dana White, mendon se gjasat janë të vogla që Conor McGregor të kthehet në ‘tetëkëndësh’ brenda këtij viti.

Irlandezi i popullarizuar nuk ka hyrë në kafaz që nga humbja në UFC 229 nga Khabib Nurmagomedov, ku pësoi me dorëzim në raundin e katërt.

Ai fillimisht e shpalli pensionimin për shkak se nuk i ishin dhënë aksione në këtë sport, mirëpo tash ka vendosur të kthehet, edhe pse nuk pritet që të ndeshet gjatë këtij viti.

Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Foto: Steven Ryan/Getty Images/Guliver)

“Mendoj se McGregor do të kthehet në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë White gjatë pjesëmarrjes në emisionin The Rich Eisen Show.

“Prandaj, realisht, të gjithë këta djem janë duke pritur të shohim se çfarë do të ndodhë në shtator me Khabib dhe (Dustin) Poirier”.

“Pasi të kryhet ajo ndeshje, mendoj se do të ndodhin shumë lëvizje”, ka thënë kreu i organizatës së arteve të përziera marciale, i cili beson se rimeçi ndërmjet Khabib dhe McGregor do të ishte një duel shumë fitimprurës. /Telegrafi/