Islam Makhachev mposht Ian Garryn pas pesë raundesh dhe vendos rekord të ri historik

Islam Makhachev vazhdon të shkruajë historinë në UFC. Kampioni i kategorisë welterweight mposhti Ian Machado Garry me vendim unanim në duelin kryesor të UFC 330, duke regjistruar fitoren e 17-të radhazi dhe duke vendosur një rekord të ri në organizatën më të madhe të arteve marciale të përziera.
Makhachev triumfoi me rezultatin 49-46, 49-46 dhe 48-47 në një përballje të luftuar për pesë raunde, duke mbrojtur me sukses titullin e botës në peshën 77 kilogramë.
Edhe pse përfundoi me shenja të dukshme në fytyrë, përfshirë një mavijosje të madhe në faqen e majtë dhe dëmtime në hundë, faqe dhe ballë, rusi arriti ta kontrollojë duelin në momentet vendimtare.

Makhachev pati mundësinë ta mbyllte luftën në raundin e dytë, kur një goditje e fuqishme me këmbë në kokë e rrëzoi Machado Garryn.
Kampioni u hodh menjëherë në sulm me një seri goditjesh, por irlandezi arriti të rezistojë dhe ta përfundojë raundin.
Machado Garry reagoi fuqishëm në raundin e tretë, të cilin e fitoi në të trija kartelat e gjyqtarëve.
Ai pati gjithashtu një paraqitje të mirë në raundin e pestë, ku regjistroi shtatë goditje domethënëse, kundrejt asnjë goditjeje të tillë nga Makhachev.
Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i shkaktuar humbjen kampionit.

Me këtë sukses, Makhachev (29-1) kaloi në histori duke thyer rekordin e legjendës së UFC-së, Anderson Silva, i cili kishte regjistruar 16 fitore radhazi. Rusi nuk ka humbur që nga viti 2015, ndërsa tani numëron 17 triumfe radhazi në UFC.
“Ai ma vështirësoi shumë luftën, por unë e dëshmoj këtë në çdo përballje”, deklaroi Makhachev pas duelit.
Nga ana tjetër, Machado Garry e pranoi humbjen pa justifikime, duke vlerësuar paraqitjen e kundërshtarit.
“Besova me gjithë zemër dhe shpirt se isha më i mirë se ai sonte, por ai fitoi. Nuk kam ankesa dhe as justifikime”, tha irlandezi.
Makhachev, i cili më parë ka dominuar edhe kategorinë lightweight, vazhdon kështu të konfirmojë statusin e një prej luftëtarëve më të suksesshëm të gjeneratës së tij, tashmë edhe me rekordin e 17 fitoreve radhazi në UFC. /Telegrafi/














































