Çitaku-Kurtit: Ti nuk e njeh bashkëpunimin as kompromisin, kërkon nënshtrim — PDK nuk nënshtrohet

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se nuk njeh bashkëpunim dhe kompromis, por kërkon, sipas saj, nënshtrim politik.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Kurti nuk po e respekton frymën e rezultatit zgjedhor dhe se shumica e fituar nuk nënkupton pushtet absolut.
“51 për qind nuk janë 100 për qind”, shkroi ajo, duke shtuar se kush është shtetar dhe institucionalist dëshmohet përmes veprimeve të sotme dhe respektimit të Kushtetutës.
Sipas Çitakut, opozita ka treguar përgjegjësi institucionale duke mbështetur pa kushte zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe, siç tha, në procedura të përshpejtuara.
“Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet”, ka shkruar ajo.
Zyrtarja e PDK-së e akuzoi Kurtin edhe për shkelje të Kushtetutës, duke e quajtur “shkelës serik”, ndërsa tha se ai po rrezikon rendin kushtetues.
Sipas saj, PDK nuk do të lejojë, siç u shpreh, përmbysjen e rendit kushtetues dhe do të kundërshtojë çdo veprim që cenon themelet e shtetit.
“Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen”, tha Çitaku./Telegrafi.





















































