Çfarë pas dështimit të ndryshimeve?

Shumë pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje, pas zhvillimeve të fundit akrobatike për ndryshimin e Qeverisë. Gjithçka dukej e qartë se do të përfundonte të premten, duke u paralajmëruar me shumë pompozitet, madje edhe ora e nënshkrimit të marrëveshjes dhe njerëzit e rinj në postet shtetërore. Por, prapë gjithçka u mohua një ditë më vonë, pa ndonjë arsyetim bindës. Ajo që vazhdon të mbetet e mbështjellë me petkun enigmatik është se çfarë ndikoi në zmbrapsjen nga qëndrimi për të bërë ndryshime. Mos vallë me aq sa u bë, u arrit qëllimi i dëshiruar? Megjithatë, në këtë lojë me shumë zero, edhe ky qëllim mbeti i paqartë për opinionin: as nuk pati ndryshime qeveritare, e as nuk pati ndryshime në qëndrimin e njërës parti qeveritare për koalicionet e balotazhit. Vetëm një ditë më vonë, LDK-ja vazhdoi me nënshkrimin e marrëveshjeve zgjedhore me AAK-në, ndërsa në Gjilan këtë e bëri madje me mjaft publicitet, në sheshin e qytetit.
Nuk mund të thuhet se ndryshimet i zmbrapsi llogaria e gabuar me numrat e deputetëve, sepse këta numra janë ditur edhe në natën që lansohej se gjithçka është e kryer. U tha se zyrat e huaja nuk ndërhynë për ta shpëtuar Qeverinë, dhe kjo madje mund të duket e besueshme. Ndërkombëtarët madje folën për demokracinë, por e përmendën vetëm një “detaj” të vogël, respektimin e Kushtetutës. Në këtë kuptim, ende mbetet e paqartë se si do të realizohej ndërrimi i presidentit. Kushtetuta, për respektimin e së cilës ngulmuan ndërkombëtarët, njeh vetëm tri raste të shkarkimit të presidentit: shëndetësore, shkelje të Kushtetutës dhe dënim për ndonjë krim të kryer, të cilat gjithashtu nuk mund të praktikohen në rastin konkret. Nëse është menduar që Sejdiu të jepte dorëheqje nga posti i presidentit, kjo gjithashtu është pak e besueshme, sepse ai nuk njihet si person që i parapëlqen dorëheqjet, madje as kur është fjala për postin e kreut partiak për ta dëshmuar vërtet simbolin e unitetit të popullit.
Por, mos vallë ndryshimet i penguan edhe dy partitë opozitare, të cilat nuk i entuziazmoi oferta për t’u bërë pjesë e pushtetit dhe institucioneve të larta shtetërore? Në këtë pikë, filozofia politike e Kosovës megjithatë nxori në shesh një vlerë që kishte qëndruar mbase e fshehur: shkalla morale dhe amoraliteti i pushtetit. Pakkush para këtij rasti do të ishte i bindur se në Kosovë megjithatë ekziston një moral politik dhe jo të gjitha grupet politike mezi presin që t’i hidhen shalës së pushtetit. AKR-ja dhe LDD-ja nuk u shprehën aspak të ngazëllyera nga oferta. Megjithëse, problemi fundamental me të cilin ndeshet edhe filozofia politike moderne është ai i përballjes së dallimit në mes veprimit politik (hobsian e makiavelian) dhe veprimit moralisht të qëndrueshëm. Veprimi njerëzor i njohur si moralisht i drejtë nga opinioni, nuk përkon domosdoshmërisht me veprimin politik dhe anasjelltas. Për të qenë korrektë, duhet të jemi të guximshëm ta pranojmë një fakt: Pacolli praktikisht në “natën e gjatë” të pritjes tha se nuk e tundon posti i presidentit.
Pra, një shembull i dëshmuar se si parimet vihen mbi interesat e ngushta politike dhe përtej pushtetit. Kjo deklaratë megjithatë përmbys bindjen e ngulitur tek opinioni për shkallë të ulët të moralit politik në Kosovë. Njëherësh, ky qëndrim përmbys edhe bindjen e krijuar tek Ekzekutivi se gjithçka arrihet dhe mund të përvetësohet nëpërmjet ofertës për pushtet. Por, kur themi se veprimi politik nuk përkon domosdoshmërisht me veprimin e qëndrueshëm të vlerave dhe parimeve morale, mbase këtu do të mbetej i diskutueshëm fakti nëse do të ishte më i dobishëm ndryshimi i propozuar me qëllim të zhbllokimit të njohjeve dhe të rritjes së efiçiencës qeveritare e institucionale. Zhurma e krijuar me ndryshimin a mosndryshimin e Qeverisë, jo vetëm që e denigron LDK-në dhe e ka goditur dinjitetin e saj partiak për të mbetur në Qeveri, por më shumë e ka rritur hendekun ndarës brendaqeveritar dhe e godet rëndë harmoninë e veprimit të Ekzekutivit si një organ kolektiv.
Dhe, në kohën kur momentumi politik kërkon madje një front nacional për ta forcuar pozitën e Kosovës si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, pas kësaj thyerjeje të madhe, do ta kemi një rënie të mëtejshme të efikasitetit qeveritar. Kosova nuk e ka këtë luks që të mbetet për dy vjet me një qeveri pa harmoni të brendshme dhe mungesë efikasiteti në procesin e njohjeve, investimeve dhe uljes së varfërisë, por gjithashtu nuk e ka luksin që të mbajë zgjedhje këta muaj. Zhvillimet e fundit dëshmojnë se vendi ka nevojë të domosdoshme për një legjitimitet të ri demokratik në vitin e ardhshëm.





































