LAJMI I FUNDIT:

Çfarë është ‘pozita jashtë loje gjysmë e automatizuar’ – FIFA sjell teknologjinë e re që do të ndryshojë gjithçka

Çfarë është ‘pozita jashtë loje gjysmë e automatizuar’ – FIFA sjell teknologjinë e re që do të ndryshojë gjithçka
(Foto: Screenshot/Daily Mail/FIFA)

Futbolli së shpejti mund të bëjë një ndryshim historik, ndërsa tashmë thuhet se ky ndryshim ka marrë edhe dritën e gjelbër.

Kujtojmë që së fundmi FIFA ka bërë disa ndryshime, ndër të cilat është propozuar që Kampionati Botëror të zhvillohet çdo vit, por risitë janë futur edhe në vet lojën e futbollit.


Një ndryshim i tillë është quajtur “pozitë jashtë loje gjysmë e automatizuar” dhe është testuar këto ditë, ndërsa pasi “rezultatet e para janë fantastike” (sipas njoftimit të shtëpisë botërore të futbollit), kjo risi mund të përfshihet në vitin 2022 në të gjitha garat e tjera të mëdha.

“Testet e kryera nga FIFA në Kupën Arabe tregojnë se të dhënat mbi monitorimin e ekstremiteteve të lojtarëve mund të sjellin njohuri të bujshme. Testet shtesë të teknologjisë së re janë planifikuar për edicionin e shkurtit të Kampionatit Botëror të Klubeve në Abu Dhabi”, kanë deklaruar nga organizata më e rëndësishme e futbollit.

Por, çfarë është ‘pozita jashtë loje gjysmë e automatizuar’

(Foto: Screenshot/PistonHeads)

Fillimisht, duhet kujtuar se deri në futjen e ndonjë teknologjie në futboll, gjyqtari anësor është i ngarkuar që të përcaktojë nëse një lojtar i ekipit që sulmon është apo jo në pozitë jashtë loje kur topi i dërgohet atij, ndërsa duke ngritur flamurin e pozicionit jashtë loje i bën me shenjë gjyqtarit kryesor.

Vite më parë, me vendimin për futjen e video asistentit të gjyqtarëve (VAR), u krijua një zyrë arbitri për të monitoruar ndeshjen që është duke u luajtur dhe gjyqtarët e VAR-it mund dhe duhet – duke i shqyrtuar xhirimet – ta ndihmojnë gjyqtarin kryesor për një ngjarje të diskutueshme. Por, edhe për pozitën jashtë loje. Mirëpo, ky shqyrtim mund të zgjasë dhe në fund vendoset për atë që syri i njeriut, në bazë të pamjeve, e sheh si pozicion të palejueshëm. Sidoqoftë, kjo nuk është gjithmonë 100 për qind e saktë.

Pikërisht, mungesa e saktësisë së qind për qindtë, si dhe kohëzgjatja e tepruar teksa po analizohet videoja e një pozicioni të mundshëm jashtë loje, çuan në një revolucion të vogël, por të vërtetë futbollistik. Dhe, në skenë hyn ‘pozita jashtë loje gjysmë e automatizuar’.

Për të së fundmi ka diskutuar në detaje nga drejtori i Teknologjisë dhe Inovacionit të Futbollit pranë FIFA-s, Johannes Holzmuller, ndërsa informacioni kryesor është si në vijim:

“Nën secilën çati të stadiumit do të vendosen kamera të posaçme. Dhe ne, me ndihmën e kësaj teknologjie, duke regjistruar lëvizjet e të gjitha ekstremiteteve dhe të gjithë të përfshirëve në një ndeshje futbolli, do të mbledhim 29 të dhëna për secilin lojtar, 50 herë brenda çdo sekonde! Më pas softueri do t’i përpunojë ato të dhëna dhe, në rast të pozitës jashtë loje, një mesazh për këtë do të dërgohet automatikisht në dhomën e VAR-it. Pra, jo te gjyqtari kryesor, por te ndihmësit e tij të ngarkuar me video-teknologjinë. Prandaj e quajmë këtë ‘pozitë jashtë loje gjysmë e automatizuar’, sepse është VAR-i që duhet të shqyrtojë dhe konfirmojë nëse lojtarët janë aktivizuar nga një pozicion i palejuar. Më pas nga zyra e VAR-it informohet gjyqtari kryesor nëse ka pasur apo jo një pozicion jashtë loje”, ka theksuar Holzmuller.

Përcjellja e ekstremiteteve të futbollistëve – si një video lojë!

Holzmuller shtoi edhe këtë që vijon në njoftimin e tij për këtë risi futbolli:

“Pandemia e coronavirusit na pengoi të bëjmë pothuajse çdo testim në vitin 2020, por tani ngadalë po ia dalim. Duke bërë këtë, ne kemi dy fokusime. Njëri është momenti i dërgimit të topit që shpresojmë se me ndihmën e teknologjisë të identifikojmë momentin e saktë kur topi ka lëvizur përpara. Fokusi i dytë është të identifikojmë me saktësi nëse më afër vijës së portës është një pjesë e trupit të lojtarit të ekipit sulmues ose trupi i lojtarit tjetër më të afërt të ekipit mbrojtës. Shpresojmë që, me ndihmën e teknologjisë ta arrijmë edhe këtë”.

Vendimi kryesor është në dorën e gjyqtarit

(Foto: Screenshot/Marca)

Gjyqtari i famshëm italian, Pierluigi Collina – i cili tani po punon për përmirësimin e ndarjes së drejtësisë në shtëpinë botërore të futbollit – është pyetur nga televizioni i FIFA-s se “si është e mundur t’ia besosh të gjitha këto inteligjencës artificiale” (sepse pozitat jashtë loje mund të jenë aktive dhe pasivë, dhe se po ashtu topi mund të arrijë te sulmuesi edhe nëse i është dërguar qëllimisht nga bashkëlojtari ose nëse aksidentalisht ka luajtur mbrojtësi i ekipit kundërshtar).

“Është e lehtë me teknologjinë e vijës së portës, gjithçka është ose e zezë ose e bardhë: ose gjithë topi kalon vijën e portës, ose jo, prandaj këtu ka qenë vërtet e lehtë të gjeje një zgjidhje të automatizuar. Në rastin e pozicionit jashtë loje duhet analizuar, jo vetëm pozicioni i lojtarit, por edhe ndikimi i tij në lojë dhe ai vendim mbetet në dorën e gjyqtarit. Prandaj, vendimi personal i gjyqtarit në lidhje me pozitën e palejuar, jo vetëm që mbetet në fuqi, por është vendimtar dhe përfundimtar”, ka deklaruar Collina.

Pra, si funksionon ‘pozita jashtë loje gjysmë e automatizuar’

(Foto: Screenshot/FIFA)

Në një pjesë të sekondës, kur ndodh një pozitë jashtë loje, sistemi kompjuterik njofton automatikisht gjyqtarin e VAR-it. Ai vetëm e kontrollon:

  • nëse lojtari është aktivizuar nga një pozicion i palejuar. Dhe nëse është aktivizuar:
  • nëse topi i është dhënë nga një bashkëlojtar (që është në pozitë jashtë loje) ose nëse topi është luajtur nga një lojtar i ekipit mbrojtës (që në këtë rast nuk është pozitë jashtë loje).

E gjithë situata analizohet ‘në çast’ dhe, vetëm pak sekonda më pas, ai e njofton gjyqtarin kryesor.

Kur pritet të aplikohet ‘pozita jashtë loje gjysmë e automatizuar’

(Foto: Screenshot/Daily Mail)

Kupa e Arabisë u mbajt në Katar (30 nëntor 2021 – 18 dhjetor 2021) dhe kjo teknologji u aplikua për herë të parë dhe të gjitha stadiumet ku u zhvilluan ndeshjet ishin të pajisura me “kamerat për pozitë jashtë loje” të përmendura.

Duke pasur parasysh se, sipas pohimit të FIFA-s, gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet, dhe nëse testimi në Kupën e Botës për Klube shkon po kështu, kjo teknologji do të përdoret në të gjitha garat e mëdha të ardhshme.

Dhe më e madhja që do të mbahet këtë vit është sigurisht Kampionati Botëror ‘Katari 2022’ (që zhvillohet në periudhën 21 nëntor – 18 dhjetor 2022).


Përmbledhje

Si funksionon

Inteligjenca artificiale gjurmon lëvizjet e lojtarëve dhe identifikon momentin e saktë kur bëhet një pasim.

Më pas, VAR-i, brenda disa sekondash, mund t’ia transmetojë pozitën jashtë loje asistentit, i cili do të ngrinte flamurin e tij. Teknologjia është aq e sofistikuar sa mund të dallojë majën e këmbës së një sulmuesi në kohë reale.

Çfarë do të ndryshonte

Asistentëve nuk do t’u duhej më të prisnin që të përfundonte një pjesë e lojës përpara se të jepnin shenjë për pozicion jashtë loje dhe tifozët mund t’i festojnë golat duke e ditur se golashënuesi i tyre ishte në pozitë të rregullt.

A do të ndizet shenja për pozitë jashtë loje në një ekran të madh në stadium

Jo. FIFA dëshiron që vendimi përfundimtar të mbetet te gjyqtarët. Kjo teknologji thjesht do t’u ofronte atyre më shumë informacion sesa kanë tani. Një problem i madh me pozicionet jashtë loje është se si mund t’i zgjedhin pjesët e ndryshme të trupit operatorët VAR-it kur vizatojnë vijat e tyre. Ky sistem automatikisht lokalizon pjesën më të largët të trupit të sulmuesit, me të cilën mund të shënohet një gol.

Kur mund ta shohim këtë teknologji në ligat kryesore

FIFA synonte që sistemi të vihej në funksion plotësisht gjatë vitit 2022 – në kohë për Kampionatin Botëror në Katar – por COVID-19 ka shkaktuar një vonesë në testimet.

Gjetjet nga testimet e teknologjisë që do të bëhen në Kupën e Botës për Klube 3 shkurt – 12 shkurt) do të na tregojnë më shumë në ditët në vijim.

Megjithatë, gjasat janë të vogla që Nuk ka gjasa që teknologjia e ‘pozitës jashtë loje gjysmë të automatizuar’ të futet në funksion në ligat kryesore evropiane para vitit 2023.


/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë

"Mendova se mi theu të gjithë dhëmbët" - Evander Holyfield zbuloi se cili boksier e goditi më fort

Boks
Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – ​​njëra ka të bëjë me Guardiolën

Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – ​​njëra ka të bëjë me Guardiolën

La Liga
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

La Liga
Alvaro Morata po vuan pasojat e “sëmundjes më të dhimbshme të njohur”

Alvaro Morata po vuan pasojat e “sëmundjes më të dhimbshme të njohur”

La Liga
Real Madridi i mbipopulluar në mesfushë - kush qëndron e kush mund të largohet

Real Madridi i mbipopulluar në mesfushë - kush qëndron e kush mund të largohet

La Liga
Kalo në kategori