LAJMI I FUNDIT:

Çasti që Neymar të bëhet fytyra kryesore e Ligës së Kampionëve

Çasti që Neymar të bëhet fytyra kryesore e Ligës së Kampionëve
(Foto: Matthew Childs/Pool via Getty Images/Guliver)

Ka kaluar tri vite prej se Neymar i bë transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit duke u transferuar nga Barcelona te Paris Saint-Germaini.

Paraqitjet e brazilianit në Ligën e Kampionëve pas rikthimit të futbollit, treguan pse kampioni francez pagoi aq shumë për të.


Ai nuk arriti të shënonte as ndaj Atalantas as ndaj RB Leipzigut, mirëpo luajti rol kryesor në kualifikimin e PSG drejt finales.

Rrugëtimi i sulmuesit deri në këtë pikë nuk ka qenë aspak i lehtë, ndërsa Marca ka bërë një analizë të periudhës nga transferimi i tij prej 222 milionë eurosh.

Telenovelat

(Foto: Mike Ehrmann/Getty Images/Guliver)

Thuajse menjëherë pas nënshkrimit me PSG, Neymar u pendua për vendimin e tij që të largohej nga Barcelona.

Secilin afat kalimtar është spekuluar se ai dëshiron të kthehet në Camp Nou, madje në disa raste e kishte shprehur publikisht dëshirën për t’u kthyer, por diçka e tillë nuk ndodhi.

Lëndimet

(Foto: Buda Mendes/Getty Images/Guliver)

Që në momentin e transferimit të sulmuesit në Paris, ishte e qartë se klubi e dëshironte trofeun e Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, në tri sezonet e tij në Parc des Princes, braziliani nuk ka mundur të ishte lojtari kyç për shkak të lëndimeve të shpeshta, si me klubin ashtu edhe me kombëtaren.

Lëndimet ia pamundësuan të luante kundër Real Madridit (2018) apo Manchester Unitedit (2019), ndërsa PSG u eliminua dy herë radhazi në të tetën e finales.

Këtë sezon, Neymar ka qenë në gjendje të mirë fizike dhe ka qenë lojtar i rëndësishëm në skuadrën e Thomas Tuchel.

Është çasti i tij

(Foto: Elsa/Getty Images/Guliver)

Neymar u largua nga Barcelona për të ikur nga hija e Lionel Messit. Kur e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2015, ai nuk ishte në qendër të vëmendjes edhe pse shënoi në finale.

Me mungesën e argjentinasit dhe Cristiano Ronaldos në Lisbonë (pas eliminimit të Barcës dhe Juventusit), braziliani e ka shansin që të bëhet fytyra e Ligës së Kampionëve në rast të triumfit të skuadrës së tij.

Numrat dhe trofetë

(Foto: Manu Fernandez/Pool via Getty Images/Guliver)

Liga e Kampionëve do të ishte trofeu i pestë i PSG-së këtë sezon, pas triumfit në Ligue 1, dy kupat franceze dhe Superkupën.

28-vjeçari ka kontribuuar shumë në këto suksese duke i shënuar 19 gola dhe duke dhuruar 11 asistime në sezonin mbresëlënës të parisienëve.

Gjatë tri viteve me fanellën e Paris Saint-Germainit, Neymar ka regjistruar 82 paraqitje, ka shënuar 70 gola, ka dhuruar 40 asistime dhe ka fituar nëntë trofe.

/Telegrafi/