Aktorja amerikane, Brooke Shields, ka folur hapur për presionet dhe pritshmëritë me të cilat u përball që në fëmijëri, duke thënë se rritja 'para kamerave' ndikoi thellë në jetën e saj personale dhe profesionale.

Shields u shfaq për herë të parë në kamera që foshnje, ndërsa si fëmijë mori role që tërhoqën vëmendje të madhe.


Ajo veçon filmin “Pretty Baby” (1978), ku luajti në moshën 11-vjeçare - rol që më pas u bë shumë kontrovers dhe, sipas saj, kontribuoi që për vite të tëra të etiketohej si 'seks-simbol', imazh nga i cili e kishte të vështirë të shkëputej.

Brooke Shields

Sot 60 vjeçe dhe e njohur edhe për “The Blue Lagoon”, Shields thotë se projektet e hershme i përcaktuan rrugën në industrinë e argëtimit dhe krijuan pritshmëri që nuk përputheshin gjithmonë me atë që ajo dëshironte të bënte.

Si pikë kthese në karrierë, përmendi paraqitjen në serialin “Friends” (1996), ku interpretoi një personazh komik një fanse të fiksuar dhe thotë se aty kuptoi se ndihej më mirë në komedi se sa në role ku trajtohej si objekt.

“Po të kisha mundur, do t’i isha kthyer komedisë shumë më herët”, u shpreh ajo.

Në dokumentarin “Pretty Baby: Brooke Shields”, aktorja rikujton me emocion vendime të fëmijërisë, përfshirë role me skena intime; duke folur si nënë, për atë që do të pranonte për fëmijën e saj, ajo tha shkurt: “Jo”.

Pranoi gjithashtu se e ka pasur të vështirë t’ua shpjegojë disa vendime vajzave të saj dhe se ende i rishikon disa gjëra, megjithëse pa përgjigje të thjeshta. /Telegrafi/