Nga: Dorian Koçi

Në shekullin XIX, emërtimin etnik mesjetar për shqiptarët – arbër – kujtesa kolektive e ruante si një kujtim të largët. Më së shumti, ky emërtim përdorej dhe lëvrohej në qarqet e elitës së shkolluar shqiptare, kryesisht në ato që përdornin latinishten dhe kishin njohuri për epopenë arbre të Skënderbeut në shekullin XV, falë leximit të veprave të Barletit apo dhe disa emërtimeve dhe toponimeve që kishin mbetur.

Kështu, një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së Mesme – që nga Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës – pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën. Ndërkaq, “mal e arbën” përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Ndërkaq, Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjendet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVIII prej të shpërngulurve nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është dhe emri i një katundi afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë – midis qyteteve të Vlorës, Gjirokastrës e Delvinës – dhe po ashtu, “arbëreshë” e “arbërorë” quhen banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, por me trajta të ndryshme (arbën, arbër, arbëresh, arbëresh, arbnuer, arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin, në dallim nga arumuni ose nga ndonjë anëtar i ndonjë popullsie tjetër ballkanike.

Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës, erdhi dhe u mbulua nga emri i ri “shqiptar”, “Shqipëri” dhe ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Shkaqet për kujtimin e zbehtë të emërtimit etnik shumë të rëndësishëm në Mesjetë për gjithë Gadishullin Ballkanik nuk janë plotësisht të njohura. Gjithsesi, mund të supozojmë se, pas shkatërrimit të Arbërisë mesjetare dhe pushtimit të saj nga otomanët, gradualisht humbi dhe koncepti i një Arbërie të krishterë, të organizuar me institucione dhe entitet shtetformues që bazohej në qytetërimin evropian të kohës dhe, përkundrejt gjithë këtij ndryshimi thelbësor, nisi të merrte jetë një simbiozë tjetër kulturore që përfshinte tashmë edhe elemente të rëndësishme të qytetërimit osman. Por nëse në vetë territoret arbre ky toponim sa vinte dhe zbehej për vetidentifikimin e popullsisë përkundrejt Arbërisë mesjetare, në Italinë e Jugut, por edhe në Greqinë kontinentale dhe ishuj, si pasojë e emigrimit të hershëm të popullsisë arbre, ky emërtim dhe kjo kulturë gjallonte fort, pavarësisht trysnive të forta kulturore të helenizmit dhe kulturës italiane të iluminizmit dhe romantizmit.

Mjeku Tasos Nerucos, njëri nga veprimtarët e hershëm arvanitas shqipfolës që rindërtoi saktësisht në të folurën arbëreshe athiniote dy poezitë popullore të mbledhura nga Bajroni dhe Hobhousi, sipas një kërkese të albanologut Meyer, i shkruante këtij të fundit më 1888 se arbëreshët e Greqisë nuk i njihnin fjalët “shqip”, “shqiptar” e “Shqipëri; veten ata e quajnë “arbër”, dhe “arbërorë”, kurse atdheun e të parëve të tyre “Arbëri” dhe “Arbëni”. E njëjta gjë mund të pohohet dhe për arbëreshët e Italisë, të cilët, po ashtu, kishin emigruar që herët në Italinë e Jugut. Emigrantët arbëreshë që u ngulën në Itali në mesjetë, gjatë dhe pas vdekjes së Skënderbeut, vazhduan dhe vazhdojnë të identifikohen qartas mes njëri-tjetrit me emrin “arbëresh”. Me po këtë emërtim unik, “arbëresh”, u thirrën jo vetëm shqiptarët që emigruan nga territoret e Arbërisë dheu vendosën në brigjet italike, por edhe refugjatët shqiptarë që banonin prej dekadash emigrimi në territoret kontinentale dhe ishullore greke. Midis popullsive arbre që vinin nga Arbëria mesjetare dhe nga Greqia kontinentale apo ishujt nuk ekzistonin dallime të mëdha esenciale, ngaqë të dyja i përkisnin të njëjtit grup etnik. Ajo që binte në sy më së shumti ishte se mes tyre gjendeshin larmishmëri kulturore mbi çka ata përfaqësonin.

Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX ishin shekujt ku Evropa, nën ndikimin e iluminizmit dhe romantizmit, filloi procesin e rivlerësimit të së kaluarës antike dhe mesjetare të kontinentit, si dhe epoka kur do të fillonte të ngjizej ideja për të krijuar shtetet kombëtare. Italia dhe shtetet italiane me kryeqendra të ndryshme, por të ndikuara pothuajse njëlloj nga iluminizmi dhe romantizmi, nuk do të mbeteshin jashtë këtyre proceseve kulturore dhe politike. Kësisoj është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Evropës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi veprimtaritë revolucionare: së pari, formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë i ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim dhe; së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive evropiane dhe zanafilla e çështjes lindore. Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë dhe të Evropës Lindore të shekullit XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropiano-perëndimore: liberalizmi, që buronte nga idetë e iluminizmit në shekullin XVIII, si dhe nacionalizmi.

Këtë kontribut kulturor dhe intelektual për formimin e idesë së shtetit italian dhe vetëdijes kombëtare mes popullsive e përforcuan disa përvoja historike, ku mes tyre shquante përpjekja për të ndalur procesin e asimilimit të popullsisë arbre në Itali, bashkë me pasojat që mund të sillte. Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, këto përpjekje zgjuan tek arbëreshët vetë imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Evropë. Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturor të teorisë së nacionalizmit.

Këto nisma ishin të drejtuara kryesisht nga përcaktimi i alfabetit dhe i rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, si dhe në mbledhjen e rapsodive, këngëve popullore dhe studimeve mbi folklorin. Por nuk mungonte edhe ideja e pavarësimit të Shqipërisë. Pararendës të lëvizjes që po ndiqnin pavarësinë e Shqipërisë ishin studiuesit e njohur shqiptaro-italianë, si Jeronim de Rada, veprimtar sidomos që prej vitit 1848, me gazetën e tij “Shqiptari i Italisë” e më pas me botimin periodik Flamuri Arbrit, 1848-1887. Krahas tij, kishte edhe një brez të tërë arbëreshësh të angazhuar në çështjen shqiptare, si Vinçens Dorsa, Dhimitër Kamarda dhe Zef Skiroi. Nacionalizmi politik i shqiptarëve u zgjua pikërisht në këto momente kur elitat kombëtariste jashtë vendit projektuan ringjalljen kulturore e politike të Shqipërisë dhe elita brenda vendit vërejti se Perandorisë Osmane mund t’i shkëputeshin territore dhe se fati i tyre politik shumë shpejt mund të përcaktohej nga kryeqendrat e tjera të pushtetit në Evropë.

Rilindja Kombëtare Shqiptare synonte: në fushën politike – të çlironte atdheun nga robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar shqiptar, të shtrirë në mbarë trojet shqiptare; në fushën shoqërore – të çlironte vendin nga marrëdhëniet e vjetruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike, ekonomike dhe shoqërore, duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore – të çlironte masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor, kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën shqipe. Si e tillë ajo do të ishte një lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar, demokratik dhe iluminist. Elita intelektuale kombëtare shqiptare, nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që gjurmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme, rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kishte zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në Gadishullin Ballkanik. Gjuha dhe figura e Skënderbeut u kthyen në dy pikëtakime të botëve shqiptare në të dyja anët e Adriatikut.

Gazetaria e re shqiptare, që lindi së bashku me përpjekjet për lëvrimin e gjuhës shqipe, luajti rol të çmuar duke ndihmuar konkretisht në këto aspekte çështjen kombëtare. Në njëfarë mënyre ajo u bë bartëse e mesazheve përbashkuese duke forcuar idenë sesi krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe, një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit, zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetin e krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidaritetet e tjera. Nga ana kronologjike, sipas të dhënave që kemi deri sot, njihet si organ i parë i shtypit shqiptar gazeta L’Albanese d’Italia (Shqiptari i Italisë). Kjo gazetë doli në Napoli, më 22 shkurt 1848. Ajo dilte në një format të vogël, me katër faqe. Kryeredaktori i saj ishte Jeronim De Rada, publicist dhe aktivist kulturor i shquar i kohës. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare e që u vendosën në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut. Gazetaria arbëreshe shfaqet si nismë e dy apo tre personaliteteve, të cilët, për motive atdhetare, kulturore e shoqërore, botonin një gazetë apo reviste (Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Stesi Petka, Antonio Argondiza etj.).

De Rada nisi të merrej me gazetari që në moshë të re, që në dy vitet e para të krijimtarisë së tij letrare. Prirjet e tij u panë kur Instituti Kozentin, duke e vlerësuar nga ana letrare, e emëroi në sesionin 11 prillit të vitit 1839 si anëtar korrespondent. Në rrethet letrare dhe intelektuale të atjeshme De Rada nisi të bënte emër. Pas pak vjetësh, më 1 korrik 1842, ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë Valentini. Jeronim De Rada kishte filluar të bashkëpunonte me organet e shtypit në Napolit, siç na tregojnë këto burime, aty nga vitit 1836, por më 1840 ai u mor drejtpërdrejt me përgatitjen e lëndës si redaktor i së përkohshmes Viaggiatore (Udhëtari), që drejtohej nga shoku i tij i afërt, Domeniko Mauro. “Së bashku me këtë”, shkruan De Rada në librin Autobiologji, “botonte edhe Vincenc Padula nga Akri. Që të tre ishin të rinj dhe jeta jonë i jepte revistës vulën e saj”. “Kjo gjë solli shumë dobi”, thekson më poshtë De Rada në këto kujtime. “Ajo u përhap në tërë krahinën e Kozencës dhe lexohej në shumë lokale edhe institucione të Napolit.”

Ajo që ia rriti vlerën De Radës, nga pikëpamja e rrugës që ndoqi si publicist, ishte gazeta L’Albanese d’Italia apo Shqiptari i Italisë. Ai nisi ta botonte këtë gazetë në pragun e ngjarjeve të mëdha politike të vitit 1848, që ishte viti i revolucioneve që shpërthyen në shtetet e mëdha të Evropës kundër qeverive dhe regjimeve autokratike, si revolucioni në Francë, më pas në Itali, Austri, Hungari etj. Këto ngjarje dhe shumë të tjera që lidheshin me konceptin e lirisë politike dhe fillesave të shtetit kombëtar do të pasqyroheshin në shtypin e kohës. Në Autobiologjinë e tij De Rada kujton: “…kisha pak të holla, por sidoqoftë atë ditë bëra kontratën me shtypshkronjën “Trani” dhe kështu doli me një letër të varfër e me një karakter të vjetër Shqiptari i Italisë. Në Napoli ajo pati pak lexues, por në krahinën e Kozencës u abonuan 150 veta.” Gazeta botohej dy herë në javë, çdo të mërkurë e të shtunë, me një format të vogël e me katër faqe. Numri i parë i saj u shtyp me një tirazh të kufizuar, në rreth 500 kopje(afro 300 kopjesh përndaheshin në Napoli dhe 200 kopje dërgoheshin në Kozencë). Por, pas pak kohe ajo e rriti tirazhin dhe fitoi popullaritet në masën më të gjerë të lexuesve arbëreshë. Shumica e artikujve u nënshkruan nga De Rada, i cili ishte edhe drejtori i saj, por në gazetë dhanë ndihmesën e tyre edhe figura të tjera të njohura intelektuale të kolonisë arbëreshe, si Francesco Antonio Santori, Vinçenzo Gallo-Arcuri, Giuseppe Petrassi, Cesare Marini, Nicola Castagna, si dhe bashkëpunëtorët Vincenzo dhe Achille Dorsa, Françesco Candreva e Tommaso Lopez.

Ndikimi i gazetës Shqiptari i Italisë filloi të ndihej në qarqet intelektuale arbëreshe. Më 7 maj 1848, Anxhelo Ferrialo i shkruante De Radës që “ti dërgonte 1, 9, 10 dhe 21, të cilat përmbajnë artikuj që më pëlqejnë”. Ndërsa Gaetan Kantivani nga S. Markoi shkruan më 3 mars 1848: “Kam marrë dy numrat e parë të gazetës Shqiptari i Italisë dhe pothuajse shpeshherë i kam lexuar dhe rilexuar duke qarë…Nuk ka shqiptar që të mos ushqejë ndjenja të tilla për një ndërmarrje që nderon gjuhën e Epirit”. Një intelektual tjetër arbëresh, Luigi Valentini, i shkruan De Radës për t’u pajtuar në gazetë për gjithë vitin. Ai njeh në të njëjtën kohë edhe kontributin e paçmuar të gazetës, kur shkruan: “…ju do të mbani në lidhje në këtë rast arbëreshët e Italisë me ata të Shqipërisë”.

Përpara se të fillonte botimin e gazetës Shqiptari i Italisë, De Rada e kishte krijuar ndërkohë fizionominë e poetit të botës arbëreshe. Ai ishte një figurë qendrore e letërsisë dhe kulturës arbëreshe të shekullit XIX që, ndryshe nga paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij Këngët e Milosaos(1836), por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat evropiane të kohës. Këtë integrim ai e arriti falë angazhimit të tij të pandërprerë në qarqet kulturore italiane, por edhe falë krijimtarisë së tij të pasur letrare. Një ndër veprat e tij më të rëndësishme është Këngët e Milosaos (1836, 1847, 1873). Poema nuk është cilësuar thjesht si një poeme lirike, por përmes saj bëhet thirrje për bashkim e qëndresë, duke na dhënë një pasqyrim poetik të mbështetur në kujtesën kolektive të betejave që ishin zhvilluar nga arbrit kundër osmanëve.

Poema ka rëndësi të madhe historike sepse me të fillon letërsia artistike, laike, demokratike dhe kombëtare shqiptare. Ajo çfarë e përshkon veprën është karakteri patriotik. Pak më vonë gjejmë Këngët e Serafina Topisë (1839, 1843, 1898), një pjesë të së cilës e botoi edhe në gazetën Shqiptari i Italisë. “Kjo vepër u vlerësua për mbajtjen gjallë të traditës arbëreshe në dhé të huaj. Deri më sot njihen katër variante të kësaj vepre. Botimin e parë të një pjese të saj e gjejmë më 8 tetor 1836 në të përkohshmen Omnibus. Në gazetë është botuar Kënga XV në të dyja variantet, italisht dhe arbërisht, çka përbën jo vetëm një dokument të rëndësishëm gjuhësor, por është dhe një dëshmi sesi vetëdija kombëtare ndër arbëreshët gjeti vend në shtypin e shkruar. Heroina kryesore e veprës, Serafina Topia, përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për familjen e atdheun, një temë tipike e romantizmit arbëresh, që ndikoi e rrezatoi më vonë dhe në letërsinë shqipe. Po ashtu, Serafina Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme. Edhe pse një personazh i krijuar nga De Rada, ajo është gdhendur sipas tipareve kulturore e fizike të bashkësisë arbëreshe, duke u shndërruar kështu në një simbol të grave të kësaj bashkësie.

Vargu i De Radës mbështetet në poezinë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe atyre më të hershme në Greqi. Mungesa e rimës në to është treguesi kryesor i hershmërisë dhe origjinës së njëmendtë popullore të tyre. “Pa rimë, pa strofa”, thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare, “siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetërrokësh të lirë, të përzierë me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh; që të gjithë të marrë së bashku krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone”.

Në faqet e gazetës Shqiptari i Italisë janë botuar mjaft shkrime e madje pjesë nga poema të ndryshme, si Vallja e Haresë së madhe e Antonio Santorit. Në këtë poemë trajtohet mënyra e sjelljes në çdo festim publik, ku të gjithë në qytet, të mbështetur nga të afërmit e gjakut dhe të veshur në mënyrën e tyre tradicionale, zbresin në rrugë duke marrë dorën e njëri-tjetrit dhe interpretojnë një këngë të shoqëruar nën masat e disiplinuara të hapave, duke u sinkronizuar në një mënyrë të unifikuar me njëri-tjetrin. Gazeta ishte një tribunë e arbëreshëve, ku përmes shkrimeve të larmishme publicistike paraqiteshin edhe çështjet kombëtare. Në artikujt e saj gjetën vend disa nga idetë që ushqyen më vonë veprën e De Radës, por edhe mendimin filozofik, estetik dhe letrar shqiptar. Kështu, për shembull, zanafilla e idesë së lidhjes së korit antik të tragjedisë dhe komedisë greke me ritet popullore shqiptare gjendet ne artikullin “La Ridda della grande festa”, fq. 9, shkruar nga Antonio Santori, kur përshkruhet kori, i cili, sipas tij, ishte themeli i tragjedisë së Tespit, por që vjen duke u zgjatur deri te ritet shqiptare.

Pasqyrimi i riteve arbëreshe zuri një vend të rëndësishëm në gazetë, sepse, sipas romantikëve, studimi i folklorit do të bënte të mundur krijimin e modeleve të vektorëve historikë të së shkuarës, por që mund të përsëriteshin në të tanishmen. Intelektuali arbëresh Akile Dorsa përshkruan ritin e festimeve të përvitshme arbëreshe që mbanin gjallë figurën e Skënderbeut dhe Krujën, kryeqytetin e tij. “I dashur mik, këtë vit tri ditët tona të Pashkëve i festuam me një entuziazëm të pazakontë. Ju që jeni shqiptar, nuk keni nevojë të pikturoni entuziazmin dhe jetën e jashtëzakonshme të këtij populli heroik, si një komb që ju e njihni mjaft nga ritet dhe zakonet e lashta që ende lulëzojnë. Shfaqja filloi si zakonisht pas drekës, kur të rinjtë, të lumturuar nga engjëlli i Pashkëve dhe vera, erdhën nga shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në shoqëri; ata udhëtuan nëpër vend duke kënduar bëmat e luftëtarit dhe heroit nga Kruja. Veshja e tyre orientale, shpatat pa këllëf, flamujt që valëviteshin, këngët për Skënderbeun që përsëriteshin në dy kore, i bëri ata të njohin një komunitet të vërtetë, siç janë tashmë, të të parëve tanë, prej të cilëve të tria grupet festuese i mbajnë mend të tjerët me simbolin lart për të hapur rrugën në mes të turmës së spektatorëve, të cilët u mblodhën nga vendet fqinje në turma. Përgjatë rrugëve ju mund të shihni radhë të grave të veshura për festën, të cilat përshkuan njëra-tjetrën me një harmoni të paefektshme të këngëve kombëtare, që nga pikat e ndryshme të këtij fshati sinkronizoheshin në një thellësi të vetme po aq hyjnore sa ndjenja e lirë që i diktoi ata. Me skena kaq të bukura, të tjerët bien ndesh me shëmtinë dhe format e tyre monstruoze.”

Përpos pasqyrimit të folklorit, letërsisë dhe gjuhës arbëreshe, De Rada do të trajtonte edhe temat e politikës së ditës, të cilat shqetësonin elitën arbëreshe e që kishin të bënin me fatin politik të Italisë. Në numrin 27 të datës 3 korrik 1848, në gazetë zë vend letra e De Radës drejtuar kavalier Saverio Pratit, komandantit të forcave vullnetare në frontin e Venecias kundër forcave pushtuese austriake, në të cilën i jep zemër për qëndresë e guxim në luftë. Në letër, veç të tjerave, shpalosen idetë që do të mbizotëronin më vonë në ligjërimin kulturor e politik të De Radës gjatë angazhimit të tij për çështjen kombëtare shqiptare. “Por çfarë mendimi tjetër mund të zinte vend më tepër në zemrën time”, shkruan De Rada, “sesa ideja që jam shqiptar, se e kam dashur më tepër se çdo gjë mëmëdheun, se e kam për zemër dhe të shenjtë, para së gjithash gjuhën që është shprehje e shpirtit tim dhe pa shikuar madhërinë e pashoqe të saj, edhe para se ta gjeja të ngulitur në shpirtin e saj kuptimin e botës së vjetër fetare.”

Në materialet dokumentare të fondit përkatës në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet me kujdes si një ekzemplar i rrallë edhe numri 27 i gazetës Shqiptari të Italisë(datë 3 qershor 1848). Edhe në këtë numër ka shkrime me interes, siç është peticioni drejtuar Dhomës së Deputetëve në Napoli nga studiuesi arbëresh Jeno de Koronej, nënshkruar në emër të arbëreshëve të Kalabrisë, të cilët kërkonin të jetonin të lirë e të pavarur nga kisha e Romës që përpiqej t’i shkrinte në ritin e saj latin për asimilimin kombëtar të tyre. Në këtë dokument ata vënë në dukje karakterin burrëror dhe patriotik. “Kujtonin”, thonë ata, “se arbëreshët e parë erdhën këtu të kalitur në ndeshje të armatosura me forcat osmane. Ata erdhën të mjeruar, portë fortë në betejat kundër osmanëve dhe bënë që zëri tyre të dëgjohej në Italie sidomos në mbretërinë e Napolit, ku është ndier më afër nevoja e kësaj mbretërie për ndihmën e heronjve të vendit tonë.” Në këtë mënyrë gazeta Shqiptari i Italisë ishte kthyer në një tribunë të mendimit të lirë të botës arbërore në Itali, ku spikatnin botimi i folklorit, i krijimtarisë origjinale, si dhe përkujdesja për ruajtjen e ritit bizantin. Gazeta Shqiptari i Italisë duket se fitoi një popullaritet të madh mes bashkësisë arbëreshe dhe qarqeve intelektuale italiane që po përgatitnin Risorgimento-n, sepse në numrat e fundit arriti të botohej deri në 3200 kopje. “Kur morri vesh Francesco Krispi”, shkruan De Rada në veprën e vet Autobiologji, “më dërgoi me këmbim Apostolat-in dhe unë i dërgova të gjithë numrat që kishin dalë në atë kohë.”

Sinergjia kulturore që krijoi gazeta Shqiptari i Italisë u kthye në një humus kulturor që ndikoi në periudhat e mëvonshme të konsolidimit të identitetit kulturor të bashkësisë arbëreshe në Itali dhe në projektimin e idesë së themelimit të shtetit kombëtar shqiptar. Bota kulturore arbëreshe, nën rrjedhat e iluminizmit dhe romantizmit evropian, rindërtoi identitetin e hershëm kulturor të sjellë nga atdheu i mëparshëm për të bërë kapërcimin e madh drejt ideve të nacionalizmit dhe formimit të kombeve, çka përfshiu gjithë kombet dhe bashkësitë e tyre në diasporë të Evropës Juglindore. Publicistika, mjeti më efikas i nacionalizmit në mesin e shekullit XIX, mbarti idetë kombëtare duke krijuar shtratin e duhur për triumfin e ideve liberale dhe krijimin e shteteve kombëtare, ku pa dyshim gazeta Shqiptari i Italisë është një nga themelet kryesore të këtij rizgjimi kombëtar dhe kulturor.