Betim Fazliji drejt largimit nga St. Gallen, në negociata me klubin tjetër zviceran

Mesfushori i Kosovës, Betim Fazliji, mund të ndërrojë klub gjatë kësaj vere, pasi Zurich ka nisur negociatat me St. Gallen për transferimin e tij.
Fazliji nuk ishte pjesë e skuadrës së St. Gallenit për ndeshjen e fundit, pasi klubi e ka liruar përkohësisht për të zhvilluar negociata me Zürichun.
27-vjeçari, i cili ka kontratë me St. Gallenin deri në verën e vitit 2027, mbetet një lojtar i pëlqyer nga tifozët, por minutazhi i tij ka qenë i kufizuar pas dëmtimit të dytë të ligamentit të kryqëzuar.

Sipas raportimeve nga Zvicra, marrëveshja mes klubeve ende nuk është finalizuar, por sinjalet për një transferim të mundshëm janë pozitive. Zurich është i vetëdijshëm për historinë e dëmtimeve të Fazliji dhe megjithatë beson se përvoja e tij mund t'i ndihmojë skuadrës.
Fazliji ka zhvilluar 128 ndeshje me St. Gallenin, ndërsa një transferim te Zürichu do t'i jepte mundësinë të luante më rregullisht.
Nga ana tjetër, St. Gallen do të mund të zvogëlonte numrin e lojtarëve dhe shpenzimet e pagave, veçanërisht pas eliminimit nga garat evropiane.
Fazliji është pjesë e Kosovës, për të cilën ka regjistruar 23 paraqitje. /Telegrafi/












































