Makina bie në greminë, një viktimë dhe dy të lënduar në Mirditë

Një aksident i rëndë është regjistruar në fshatin Kurbnesh të Mirditës, në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, ku një automjet doli nga rruga dhe ra në greminë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, automjeti drejtohej nga shtetasi A. K., rreth 20 vjeç. Si pasojë e daljes së mjetit nga rruga, ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri, shtetasi C. N., po rreth 20 vjeç.
Nga përplasja e fortë kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesi i mjetit, 20-vjeçari A. K., si dhe një pasagjer tjetër i mitur, rreth 15 vjeç.
Për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe terrenit të thyer, dy të dëmtuarit janë transportuar me urgjencë me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë ngjarje tragjike.





































