Besar Musolli i jep fund karrierës si futbollist profesionist


Pas shumë vitesh të mbushura me sakrifica, përkushtim dhe kujtime të paharrueshme, futbollisti Besar Musolli ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.
Musolli e ka cilësuar futbollin si një rrugëtim që e ka formuar si njeri dhe sportist, duke theksuar rëndësinë që ky sport ka pasur në jetën e tij personale dhe profesionale.
Karriera e tij ka qenë e ndërtuar mbi përkushtim të vazhdueshëm, sakrificë dhe qëndrueshmëri, duke e bërë atë një nga emrat e respektuar në skuadrat ku ka luajtur
Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë pjesë e disa klubeve të njohura në futbollin kosovar dhe rajonal, përfshirë KF Hysin, FK Kukësin, SC Gjilanin dhe KF Llapin.

Një moment i rëndësishëm në karrierën e Musollit ka qenë edhe përfaqësimi i Kombëtares së Kosovës, ku ai ka pasur mundësinë të kontribuojë në arenën ndërkombëtare dhe të mbrojë ngjyrat e vendit të tij.
Në mesazhin e tij të lamtumirës, Musolli ka shprehur mirënjohje për familjen, trajnerët, bashkëlojtarët, stafet teknike, drejtuesit e klubeve dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë karrierës./Telegrafi/








































