Bernardo Silva zgjedh ekipin e ri, nuk është Barcelona e as Juventusi

Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City në qershor, ndërsa Atletico Madrid është shfaqur si favoriti kryesor për ta transferuar mesfushorin portugez si lojtar të lirë. Juventusi, ndërkohë, duket se ka dalë plotësisht jashtë garës.
Vetëm pak javë më parë, 31-vjeçari konfirmoi se do t’i japë fund aventurës së tij në “Etihad” pas nëntë sezonesh të mbushura me trofe dhe suksese të mëdha. Bernardo largohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë moderne të Manchester Cityt.
Fillimisht, emri i tij u lidh ngushtë me Juventusin dhe Barcelonën. Klubi italian e shihte si figurën kryesore të projektit të ri sportiv, por mungesa pothuajse e sigurt e Juventusit në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve ka bërë që transferimi të bëhet i pamundur.
Nga ana tjetër, Barcelona vazhdon të hezitojë për shkak të pagës së lartë të lojtarit dhe faktit që pozicioni i tij konsiderohet tashmë i mbuluar mirë në skuadrën katalanase.

Sipas raportimeve të “Marca”, Atletico Madrid ka hyrë fuqishëm në garë gjatë orëve të fundit. Bernardo Silva dëshiron të provojë një eksperiencë të re në La Liga, ndërsa skuadra e Diego Simeones synon të përforcojë repartin e mesfushës.
Edhe “Gazzetta dello Sport” raporton se portugezi e ka refuzuar përfundimisht Juventusin dhe se zgjedhja e tij është Atlético Madrid.
Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të ishte një tjetër goditje ambicioze nga klubi madrilen në përpjekje për të konkurruar seriozisht për trofetë në Spanjë dhe Evropë. Një transferim i këtij niveli mund të ndikojë gjithashtu në bindjen e yjeve aktualë të skuadrës për të vazhduar projektin në “Metropolitano”.
Vendimi final pritet të merret shumë shpejt, pasi Bernardo Silva dëshiron ta ketë të zgjidhur të ardhmen e tij përpara nisjes së Kupës së Botës. /Telegrafi/












































