Berisha: Faleminderit Kosovë

Dardan Berisha thotë se e arriti nivelin aktual vetëm falë eksperiencës që e pati në Kosovë. Pejani luajti tri sezone në basketbollin kosovar, duke qenë absolutisht lojtari më i mirë në vend, si në periudhën kur luajti me Pejën, ashtu edhe me Sigal Prishtinën.
Madje, kjo periudhë e ndihmoi të bënte eksperiencë dhe u kthye në Përfaqësuesen e Polonisë pas tri vjetësh më i fortë se kurrë.
“Dali” pritet t’i udhëheqë polakët në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm, ndërsa rikthimin e tij në majat e basketbollit evropian e sheh si rezultat i paraqitjeve që pati në skuadrat kosovare.
“Kam luajtur në vendin tim, Kosovë, në dy skuadra lidere: Peja dhe Prishtina. E kam fituar Kampionatin nacional tri herë, ndërsa sezonin e kaluar e kam fituar edhe Ligën Ballkanike me Prishtinën. Ishte një rezultat historik, pasi basketbolli kosovar e fitoi trofeun e parë ndërkombëtar. Në këtë ligë marrin pjesë ekipet nga ish-Jugosllavia, jo më të fortit, por ekipet mesatare. Jam zgjedhur lojtari më i mirë i kësaj lige. Ishin tri vjet të shkëlqyeshëm për mua”, deklaroi fillimisht Berisha për uebfaqen “eurosport.onet.pl”.
Në Kosovë fitova eksperiencë
Tash, Berisha ndihet më i pjekur dhe i gatshëm të shpërthejë në Evropian. Ndërkohë, paraqitjet mbresëlënëse me Pejën dhe Prishtinën e shpërblyen atë, pasi këtë verë nënshkroi me gjigantin kroat, Cibona nga Zagrebi. “Në Kosovë kam fituar eksperiencë. Kam luajtur gjatë gjithë kohës, jam ndier përgjegjës për rezultatin e skuadrës. Kjo më ka ndihmuar që ta arrij besimin në momentet vendimtare”, vijoi ai.
Cibona më deshi më së shumti
Berisha e pranon se kishte shumë oferta gjatë kësaj vere, por që në fund vendosi t’i bashkohej Cibonës, ku kishte luajtur edhe më herët. Marrëveshja në mes tij dhe drejtuesve të klubit kroat ishte arritur në kohën kur Prishtina e kishte zhvilluar miqësoren me Cibonën në kryeqytetin kosovar. “Cibona ishte opsioni më i mirë, por jo i vetmi. Pas sezonit të fundit mjaft pozitiv që e kisha, kisha shumë propozime, por Zagrebi më bindi më së shumti. Është një skuadër e re me trajnerin, Slaven Rimac, i cili më ka dashur në skuadër. Ndër të tjera, nuk jam larg familjes”, thotë Berisha./ZËRI



















































