eksperti-banner

Çka në fakt më shtyri të shkruaj për këta dy persona, njërin shqiptar dhe tjetri italian?! A kanë diçka të përbashkët dhe ku janë dallimet midis tyre? I pari në biografinë e tij shkruan se është biznesmen dhe politikan. Biznesmen është gjithsesi, politikan mbetet për t’u bërë. Nëse do të jetë e mundur. Ka pasur një fëmijëri të vështirë meqë është rritur në kushte të rënda materiale. Ka mbaruar në Hamburg fakultetin duke u diplomuar në Ekonomi, Marketing dhe Menaxhim. Pacolli është kryetar i Mabetex Group, një kompani që aktivitet themelor ka studimin, planifikimin, projektimin dhe ndërtimtarinë globale e cila ka 19 përfaqësi anembanë botës, duke përfshirë Amerikën, Evropën, Afrikën dhe Azinë.

Majat e suksesit në biznes i preku duke realizuar projekte ndërtimore në Yakutsk, Rusi. Pastaj, u angazhua në republikat e ish Bashkimit Sovjetik, pas ky mekanizëm i kampit socialist u shemb. Njihet si shumë i afërt me ish presidentin rus, Boris Jelcin falë të cilit iu ofrua një kontratë për rinovimin e Pallatit të Carëve Rusë, Kremlinit në Moskë. Shqiptari, si restaurues i Kremlinit, mrekulli apo diç tjetër?! Asnjëherë nuk e kam pasur të qartë si ndodhi kjo! Si ndërtues dhe restaurues është shumë i zoti, nuk mendoj për politikë! Është hetuar për kinse dhënie të mitos në Rusi dhe Zvicër. Sidomos ka qenë këmbëngulëse për ta dënuar “ Shtriga e Portobellos”, zbuluese e “Shtëpisë së Verdhë” dhe kontrabanduesja e gënjeshtrave për transplantimin dhe trafikimin e organeve të serbëve që ishin marrë peng nga ish UÇK-ë, Karla del Ponte! Duket se Pacolli e luante për mrekulli lojën e cic – micit andaj shpëtoi pa therë në këmbë!

Njihet si filantrop duke dhuruar sasi të konsiderueshme të parave, thuaja në të gjitha sferat, prej arsimit, shëndetësisë deri te arti! Mirëpo, për mendimin tim, në lojën e cic-micit dikush e ka mashtruar keq duke i thënë se është i lindur për politikë dhe se ky profil i politikanit të suksesshëm i mungon Kosovës. Andaj, me 17 mars 2007 e themeloi partinë Aleanca Kosova e Re. Vetë emërtimi i këtij subjekti politik shfaq një optimizëm për të ardhmen duke u distancuar nga e kaluara, Kosova e Vjetër! Ai i fitoi 13 vende në Parlamentin e Kosovës duke u bërë kështu partia më e madhe opozitare. Në ndërkohë ky numër u tkurr pakëz! U ofrua si partner potencial për koalicion me PDK-në por “Zeusja e Dragodanit “ vendosi ndryshe meqë ishin disa rezerva ndaj tij për shkak të kaluarës dhe flirtit me kundërshtarët e perëndimit!

Subjekti që ai e drejton njihet si parti opozitare nën sqetullat e pozitës! Rekrutimin e kuadrove për parti e ka bërë kryesisht përmes joshjes materiale! Gjatë fushatës parazgjedhore, karremi kryesor për elektoratin ishte prosperiteti ekonomik dhe përmirësimi i shëndetit social për qytetarët e Kosovës që përballeshin me probleme ekzistenciale! Nuk u mor shumë me premtime politike sepse kjo ishte fushë e minuar ndërkaq që detektorët për zbulimin e mjeteve shpërthyese ishin në duart e ndërkombëtarëve. Votat që u fituan në emër të përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe sociale, nuk u arsyetuan, së paku deri më tani! Arsyetimi se Behgjet Pacolli qenka në opozitë dhe se kjo qenka arsyeja për mospërmbushjen e premtimeve elektorale është në këmbalecë meqë në planin personal nuk është ndarë shumë keq!

Luciano Pavarotti mbetet ndoshta tenori më i famshëm dhe më i suksesshëm i operave në botë. Ka lindur më 12 tetor 1935 në Modena të Italisë ndërkaq ka vdekur më 6 shtator 2007, disa muaj pasi Behgjet Pacolli e filloi jetën në politikë. Ka kënduar në thuaja të gjitha shtëpitë më të famshme të operave si, La Scala në Milano, Metropolitan Opera në New York etj. Ishte pjesë e treshit të tenorëve më të famshëm në botë së bashku me Placido Domingon dhe Jose Carreras. Pavarotti kishte idol tenorin Giuseppe Di Stefano ndërkaq që ishte thellë i ndikuar nga Mario Lanza. Si fëmijë ishte i interesuar të bëhej portier i futbollit ndërkaq që e ëma insistonte të bëhej mësues. Ai u përcaktua për muzikë! Ishte humanist i madh dhe asnjëhere nuk i refuzonte koncertet humanitare. Ka kënduar bashkë me Eric Clapton, Elton John, Bono Vox, Queen, Sheryl Crow, Spice Girls dhe Jon Bon Jovi për grumbullimin e mjeteve për viktimat e luftës në Bosnjë, Guatemalë, Kosovë dhe Irak.

Këto ishin shumë shkurt biografitë e dy personaliteteve për të cilat po shkruaj. Qëllimi është ky; që të dy kanë lidhje me muzikën klasike, njëri ishte mjeshtër i saj, Pavarotti pra dhe tjetri, përkrahës i deklaruar botërisht i saj , investues i mundshëm! Është fjala për Behgjet Pacollin. Kohë më parë të gjitha mediet në Kosovë shkruanin se Behgjet Pacolli do ta ndërtojë Shtëpinë e Operas në Prishtinë e cila do të ishte më e bukura në këtë pjesë të Evropës. Për këtë e pati realizuar një “ haxhillëk” te kryetari i Prishtinës z. Isa Mustafa, në përpjekje për të siguruar përkrahje institucionale! Pas këtij takimi kishte dalë me do deklarata të forta për media se njëri ndër kushtet për ndërtimin e kësaj Shtëpie Operistike është që Adem Demaçi të jetë kryetar a drejtor nderi me mandat të përjetshëm, nëse nuk gaboj!

Duket se për këtë nismë Behgjet Pacolli ka pasur përkrahjen e Isa Mustafës dhe zotit Thaçi, kryeministrit të Kosovës. Pastaj kjo nismë diçka kalojë në heshtje, nuk u fol më për te! Në fakt, në ndërkohë zoti Pacolli i ka filluar ndërtimet te Pallati i Mediave dhe hotel Iliria por, nuk duket se kanë të bëjnë me ndërtimin e Shtëpisë së Operas! Para zotit Pacolli, idenë për ndërtimin e Shtëpisë së Operas e pati lansuar një ministër spekulant, i njohur si dhunues i kulturës njohuritë e të cilit për muzikën klasike dhe serioze ishin aq sa që Gjuste Vulaj ishte sopranoja më e famshme e Metropolitan Operas me Randevunë nr.7 për Def dhe Kavall si dhe adhuruesja e tij e famshme që ka kënduar në Shtëpinë Operistike “ te Grazhdi i Astritit”, A. Hikojama për zërin e së cilës investojë me dhjetëra mijëra euro të pensionistëve të Kosovës!

Duket se këto dy përpjekje për ndërtimin e Shtëpisë së Operave do ta kenë të njëjtin fat. Ministri që ishte më patriot se Adem Demaçi dhe Albin Kurti tashmë mund t’i bjerë kavallit sa i përket ndërtimit të kësaj shtëpie. Mua më dhimbsen sopranot e famshme që kanë rënë në pikë të hallit, në mungesë të kësaj shtëpie detyrohen që talentin e tyre ta shpalosin urbi et orbi, në të gjitha anët e botës, mbi tokë dhe nëntokë! Sa i përket Behgjet Pacollit, situata qëndron ndryshe! Ai ka mundësi ta bëjë këtë! Nëse e bënë këtë, mund të përmendet me Pavarottin, nëse nuk e bënë këtë do të çiftëzohet me Astritin! Nuk dua të besoj që Pacolli nuk do ta përmbushë premtimin publik aq më parë që nuk do të ishte hera e parë që do të investonte në kulturë dhe art! Prej tij do të varet nëse do të mbetet humanist apo diç tjetër që nuk dua ta përmend emrin fare!

Behgjet Pacolli dhe Luciano Pavarotti kanë edhe diçka tjetër të përbashkët, që të dy ishin të angazhuar si ambasadorë! Pavarotti ishte ambasador i paqes në përmasa globale. Zëri i tij prej mjeshtri ishte arma më e fuqishme diplomatike! Mos të them e vetmja! Edhe Behgjet Pacolli në një fare mënyre është ambasador i Republikës së Kosovës sepse po lobon për njohjen e pavarësisë! Kjo është krejtësisht në rregull po të mos kishte ambicie transformimi, nga ambasadori për lobim në ministër të punëve të jashtme! Pastaj, ministri legjitim Skender Hyseni, ku mbetet ai?! Nëse Republika e Kosovës ka institucione dhe respektohet hierarkia institucionale, atëherë kryeministri Hashim Thaçi, ose duhet ta promovojë Behgjet Pacollin në ministër për punë të jashtme dhe ta shkarkojë Skender Hysenin nga ky post, ose duhet t’i thuhet Pacollit se ka kush ta bartë njoftimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës! Po dalim shumë joserioz, ministri legjitim po devalvohet ndërkaq Pacolli po e faktorizon veten e vet!

Nëse kjo gjendje nuk ndryshon atëherë konsideroj se Behgjet Pacolli po ndërton sistem paralel të Ministrisë së Punëve të Jashtme, disi sikur sistemi paralel në Shtërpcë. Po e bënë enklavizimin përbrenda qeverisë së Republikës së Kosovës! Të gjithë e kemi obligim të lobojmë dhe të punojmë për shtetin e Kosovës por nuk duhet t’i ngatërrojmë rolet! Përderisa Skender Hyseni është ministër, ne të tjerët jemi vetëm lobistë që ndihmojmë por nuk mund të bëhemi të gjithë ministra apo Skendera! Deri në zgjedhjet e ardhshme kur shumë gjëra mund të ndryshojnë dhe kur Behgjet Pacolli mund të bëhet Skender Hysen, pra ministër i Punëve të Jashtme! Unë shumë pak besoj në këtë mundësi!


Si përfundim; Luciano Pavarotti u bë i pavdekshëm me zërin e tij të mrekullueshëm dhe humanizmin që e vulosi karakterin e tij. Ai i dhuroi botës kënaqësinë përmes të Rodolfos në La Boheme, Duca di Mantova në Rigoletto, si Nemorino në L’Elisir d’ Amore, si Turandot në Nessun Dorma dhe si Mario Cavardossi në Tosca të Giacomo Puccini-t.
Behgjet Pacolli deri më tani i dhuroi botës shumë ndërtime të bukura, perla të arkitekturës. Po Kosovës, ç’dhuratë do t’i bëjë?! Shtëpinë e Operas apo… Astritin ?Ta shohim.

(Autori është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet janë personale)