eksperti-banner

Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për të promovuar albumin e saj më të ri, “Dirty Blonde”.

Këngëtarja ka publikuar në Instagram një video që e shfaq duke shëtitur nëpër rrugët e Parisit, e hipur mbi pjesën panoramike të një veture, ndërsa në duar mban një magnetofon dhe u drejtohet kalimtarëve për t’i njoftuar se albumi i saj i ri tashmë është publikuar.


Me energjinë që e karakterizon, Rexha ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve në kryeqytetin francez, duke e kthyer promovimin e albumit në një moment të veçantë për fansat e saj.

“Dirty Blonde”, i publikuar të premten, përmban gjithsej 13 këngë dhe konsiderohet një nga projektet më personale të artistes shqiptare.

Një prej këngëve që ka nisur të marrë vëmendje të madhe është “New Religion”, bashkëpunimi i saj me grupin legjendar elektronik Faithless, i cili po pëlqehet nga publiku dhe po fiton terren në platformat muzikore.

Albumi përfshin gjithashtu edhe një bashkëpunim me DJ-in dhe producentin e famshëm francez, David Guetta. Dyshja kanë sjellë këngën “Sad Girls”, duke vazhduar partneritetin e suksesshëm që në të kaluarën u ka dhuruar fansave hite globale si “I’m Good (Blue)”.

“Dirty Blonde” ka një rëndësi të veçantë në karrierën e Bebe Rexhës, pasi është albumi i parë që ajo publikon si artiste e pavarur.

Vitin e kaluar, këngëtarja vendosi t’i japë fund bashkëpunimit me shtëpinë e saj të mëparshme diskografike, duke marrë kontroll të plotë mbi karrierën dhe krijimtarinë e saj artistike. Kjo do të thotë se Rexha tashmë gëzon të gjitha të drejtat mbi muzikën e saj dhe ka liri më të madhe në vendimmarrjet kreative.

Me “Dirty Blonde”, artistja shqiptare hap një kapitull të ri në rrugëtimin e saj muzikor, duke u rikthyer me një projekt që kombinon tingujt dance-pop, elektronikë dhe elemente personale që reflektojnë përvojat e saj të viteve të fundit. /Telegrafi/