BE paralajmëron: Maqedonia mund të humbasë 49 milionë euro nga Plani i Rritjes

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të humbasin së bashku më shumë se 700 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) deri në mesin e këtij viti për shkak të dështimit në zbatimin e reformave, paralajmëroi Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Koss.
Nga këto 700 milionë, humbja e mundshme për Maqedoninë do të ishte 49.2 milionë euro.
"Javën e kaluar, u shkrova autoriteteve në rajon për të përshpejtuar reformat, përndryshe qytetarët e tyre do të humbasin. Plani i Rritjes është rreptësisht i bazuar në rezultate dhe i kufizuar në kohë. Aktualisht, mbi 700 milionë euro janë në rrezik të humbasin përgjithmonë në rajon nëse reformat nuk përfundojnë deri në qershor ose dhjetor 2026", tha Kos Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Siç raporton "Radio Evropa e Lirë", Kos e dërgoi letrën më 17 prill, dhe burime në Bruksel konfirmuan se Kos u kërkoi të gjitha vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara nga Plani i Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë potencialin e plotë të kësaj pakoje financiare.
Dhe ndërsa BE paralajmëron dhe kërkon përshpejtim të reformave, Kryeministri Hristijan Mickoski siguron se reformat nuk janë më vetëm një plan në letër, por po japin rezultate të matshme./Telegrafi/




















































