ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se klubi katalanas ka paraqitur një ofertë zyrtare për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, dhe se pret një përgjigje deri në fund të këtij muaji.

Duke folur para finales së Kupës së Botës, Laporta theksoi se Barcelona mbetet e vendosur për ta transferuar reprezentuesin argjentinas, duke e cilësuar ofertën si një hap shumë të rëndësishëm për klubin.


"Ne jemi ende në garë me ofertën tonë. Ai është një lojtar që trajneri ynë e dëshiron, prandaj ia kemi paraqitur ofertën Atletico Madridit. Është një ofertë shumë e rëndësishme dhe shumë, shumë e mirë për ne", deklaroi Laporta.

Edhe pse presidenti i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, ka përsëritur vazhdimisht se Alvarez nuk është në shitje, Laporta nuk dëshiroi të polemizonte me këto deklarata.

"Unë respektoj mendimin e të gjithëve. Respektoj mendimin e Miguel Angelit dhe të kujtdo tjetër".

Kreu i Barcelonës shtoi se në futboll situatat në afatin kalimtar mund të ndryshojnë shumë shpejt.

"Ka pasur shumë raste kur është thënë se një lojtar nuk do të vinte kurrë te Barcelona, por në fund ai ka përfunduar duke veshur fanellën tonë".

Megjithatë, Laporta bëri të qartë se Barcelona nuk do t'i zgjasë negociatat pafundësisht dhe ka vendosur një afat për këtë operacion.

"Kjo nuk është një çështje pa afat. Do të vendosim një afat të arsyeshëm. Besoj se deri në fund të muajit. Kur një lojtar dëshiron të largohet, qëndrimi i Barcelonës ka qenë gjithmonë i qartë: nëse një futbollist kërkon të largohet, ne ia lehtësojmë largimin në mënyrën më të mirë të mundshme".

Në fund, presidenti blaugrana nënvizoi se realizimi i një transferimi nuk varet vetëm nga shuma e parave që ofrohet.

"Nuk është më vetëm çështje e ofertës financiare. Kur ekziston një ofertë e mirë, duhet ditur ta shfrytëzosh atë në mënyrën e duhur", përfundoi Laporta. /Telegrafi/

telegrafi sport app