Barak Obama, Rufki Suma e Bratislav Nikoliqi

Barak Obama, Rufki Suma dhe Bratislav Nikoliqim, janë emra njerëzish natyrisht. Dikush mund të pyes përse këta emra, apo ç’kanë të përbashkët këta persona, aq më tepër kur bëhet fjalë për një amerikan, një serb dhe një shqiptar. Mos vallë është ndonjë batutë, që jemi mësuar t’i dëgjojmë kur jemi bjerrakohës kafeneve? Natyrisht se jo, ky shkrim s’ka të bëjë me batuta, por me realitet. Obama, Suma dhe Nikoliqi, janë persona me përkatësi të ndryshme etnike, fetare politike e gjeografike, ata ndryshojnë edhe në moshë, por i bashkon një gjë – guximi për të mirë.
Kur Barak Obama (presidenti aktual i ShBA-ve), u zgjodh kryetar i Amerikës, askush s’e kishte idenë. Bota u befasua. “Njeriu me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë”, thanë, çuditërisht të çuditura fjalët e botës. Obama theu një kod, kodin e dallimit mes njerëzve. Ai tregoi se nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre kanë njerëzit, por ka rëndësi se çfarë mendojnë, si punojnë dhe a kanë “guxim për të shpresuar”, thënë shkurt - të jenë vetvetja. Nuk ishte e lehtë për Obamën të kandidojë për president të superfuqisë botërore. Obama vërtetoi se të qenit njeri është kryesorja, më e thjeshta dhe më e vështira. Vallë s’duhet guxim i madh?
Gati e njëjta gjë ndodhi edhe me Rufki Sumën (kryetarin aktual të Hanit të Elezit), natyrisht jo me përmasa botërore, por madhore e historike për Kosovën. Ai u zgjodh kryetar i kësaj komune si kandidat i pavarur. Ai theu një kod tjetër, kodin e dallimeve politike. Ai tregoi se guximi për të mirë është çështje shumë me rëndësi. Nuk ishte e lehtë për të, të dalë i vetmuar në zgjedhje, sepse nuk kishte mbi vete ombrellën e partive politike. Ai kishte një ombrellë të vetme, guximin qytetar. Suma vërtetoi edhe njëherë se “guximi për të shpresuar” jep rezultate. S’thotë kot një falë: “Bëhu vetvetja!”.
Vetvetja u bë edhe kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliqi. Edhe ky njeri, nuk dallon shumë nga dy të parët. Ai e mori “fatin e vet në duart e veta” (moto e tij gjatë fushatës parazgjedhore), pati “guxim për të shpresuar”, shpresoi me guxim dhe e bëri. Ai nuk premtoi, por vërtetoi. Vërtetoi se në shtetin e Kosovës mund të thyhet edhe kodi io botëkuptimit primitiv, i cili ndan etnitetet. Ai s’e dëgjoi udhëheqjen e Beogradit, e cila nxit veç urrejtje, por dëshirën e qytetarëve serbë të Shtërpcës. Guximi i Bratislav Nikoliqit në këtë pjesë problematike të Ballkanit me histori të përgjakur vërteton se punët e mira mund të ndodhin, nëse ne duam. Nikoliqi deshi dhe e bëri. S’ishte e lehtë as për të. Ai kishte presion vazhdimisht, kishte shumë shantazhe. Por, qëllimit ia arriti. Ai vuri në thelb njerëzoren, për të cilën aq shumë flitet, e shumë pak bëhet. Ai tha se kryesore është të jesh njeri, të punosh për të mirën e njerëzve, pa dallime.
Por, ku dallojnë njerëzit? Njerëzit nuk dallojnë në moshë, të gjithë kemi qenë fëmijë, jemi rritur dhe një ditë do të plakemi e vdesim pastaj. Njerëzit nuk dallojnë në etni, as në fe, as në përkatësi politike, e as në ngjyrë. Vallë, ç’faj ka Rufki Suma që ka lindur shqiptar?! Mos ka mundur ta ndryshojë dëshirën e Zotit?! Ç’faj ka Bratislav Nikoliqi që ka lindur serb?! Mos ai kishte marrëveshje me Zotin?!
Njerëzit dallojnë në ide, fatmirësisht të mira dhe fatkeqësisht të këqija. E, Obama, Suma e Nikoliqi, kanë ide të mira, sepse menduan mirë. I pari vërtetoi se ngjyra nuk ka rol, i dyti vërtetoi se përkatësia politike nuk është mbi të gjitha dhe i treti vërtetoi se qytetarët serbë të Kosovës mund t’i zgjidhin problemet e veta vet. Ata i kanë të gjithë mundësitë që fatin e tyre ta marrin në duart e veta. Ata kanë mundësi të zgjidhen dhe të zgjedhin. Qytetarët serbë nuk po i penguaka askush. Ata paskan mundësi të jenë vetvetja. Dhe ku ka më mirë se të jesh vetvetja?!
(Autori është koordinator i OJQ-së “SHARRI në Shtërpcë dhe gazetar në “Zëri”)





































