LAJMI I FUNDIT:

Ballkani fiton minimalisht ndaj Gjilanit

Ballkani fiton minimalisht ndaj Gjilanit
Foto: FC Ballkani/Facebook

Ballkani ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Gjilanit në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Klubi nga Theranda ka marr një fitore të madhe ndaj një rivali direkt për barazh dhe kjo ka rritur gjasat për të mbetur edhe një sezon në elitën e futbollit kosovar.


Pjesa e parë e ndeshje u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët rrezikuan disa herë, por pa arritur ta tundin rrjetën.

Në anën tjetër, Gjilani gjeti golin në minutën e nëntë me anë të Fiton Hajdarit, por u anulua për pozitën jashtë loje, ndërsa në vazhdim provoi disa herë me kundërsulme, por nuk patën sukses dhe portat mbeten të paprekura.

Në pjesën e dytë, klubi nga Theranda gjeti shpejt golin pasi në minutën e 56-të ishte Blend Baftiu, i cili realizoi me kokë për 1-0 pas harkimit të Jetmir Topallit.

Pas këtij goli, Gjilani ishte më i mirë duke tentuar golin e barazimit, por edhe përkundër disa rasteve të krijuara nuk arriti të shënojë dhe ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të vendasve.

Me këtë fitore, Ballkani e sheh veten në pozitën e shtatë me 39 pikë, ndërsa Gjilani i dhjeti me 35 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Ballkani udhëton te Drenica, ndërsa Gjilani e pret Lirinë. /Telegrafi/