Pas zyrtarizimit të transferimit të Kang-in Lee, Atlético Madridi ka hyrë në fazën e dytë të afatit kalimtar veror, ku prioriteti kryesor është largimi i disa futbollistëve për të krijuar hapësirë financiare për afrime të reja.

Klubi madrilen ka investuar rreth 90 milionë euro (pa përfshirë bonuset) për transferimet e Alejandro Grimaldos, Morten Hjulmandit dhe Kang-in Lee, ndërsa tani drejtori sportiv Mateu Alemany është i përqendruar te shitjet.


Sipas mediave spanjolle, në listën e largimeve ndodhen Thiago Almada, Alexander Sørloth, Matteo Ruggeri, Thomas Lemar dhe José María Giménez.

Almada pranë largimit, dy yje kërkohen nga Serie A

Lojtari që duket më afër largimit është Thiago Almada, i cili ka oferta nga Arabia Saudite dhe River Plate, por destinacioni më i mundshëm mbetet Flamengo. Shitja e tij pritet t'i sjellë klubit të ardhura të rëndësishme për të financuar lëvizjet e radhës.

Edhe Alexander Sørloth dhe Matteo Ruggeri mund të largohen gjatë javëve të ardhshme.

Sulmuesi norvegjez nuk ka arritur të sigurojë një vend të përhershëm në formacion, pavarësisht statistikave të mira, ndërsa Ruggeri ka humbur terren pas ardhjes së Grimaldos.

Të dy futbollistët kanë zgjuar interes nga klubet e Serie A, dhe Atlético është i gatshëm t'i shesë nëse mbërrijnë oferta të kënaqshme.

Lemar dhe Giménez drejt largimit

Klubi po punon gjithashtu për të gjetur destinacione të reja për Thomas Lemar dhe José María Giménez.

Në rastin e francezit, objektivi është të lirohet paga e tij dhe të mbyllet cikli pas disa sezoneve të shoqëruara me dëmtime.

Ndërsa për Giménezin, i cili është një nga kapitenët e skuadrës dhe një nga lojtarët me pagën më të lartë, largimi do t'i jepte klubit më shumë fleksibilitet financiar.

Përforcime të reja pas shitjeve

Atletico nuk planifikon të ndalet vetëm te shitjet. Pasi të realizohen largimet, drejtuesit synojnë të rikthehen në treg për të afruar të paktën një qendërmbrojtës dhe një sulmues.

Nëse largohet Sorloth, klubi do të kërkojë një zëvendësues të denjë për sulmuesin norvegjez, i cili ka regjistruar mesatarisht rreth 20 gola për sezon, ndërsa në mbrojtje synohet shtimi i konkurrencës pas largimit të mundshëm të Giménezit. /Telegrafi/

telegrafi sport app