Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar sulmin fizik që ndodhi të enjten në një kafiteri në qendër të Skenderajt, ku u lëndua zëvendësministri i Financave dhe kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.

Kurti deklaroi se në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë individë apo grupe që sfidojnë shtetin dhe ligjin.


“Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesshëm shtetin, sepse shteti është tërësia e ligjit”, tha Kurti.

Ai theksoi se në lokalin ku ndodhi incidenti ekzistojnë prova të mjaftueshme për zbardhjen e rastit, përfshirë kamerat e sigurisë dhe dëshmitarët okularë.

“Ligji i drejtë i Republikës na bën bashkë si shoqëri e jo si dikur që na ndante. Në lokalin në Skenderaj, ku është rrahur dhe përgjakur zëvendësministri i Ministrisë së Financave, njëkohësisht kryetar i degës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë”, deklaroi ai.

Megjithatë, Kurti ngriti shqetësime për reagimin e institucioneve të rendit dhe drejtësisë, duke e cilësuar si të vonuar ndërhyrjen e Policisë dhe Prokurorisë.

“Mora vesh që dy veta janë arrestuar, por në përshtypjen time reagimi i policisë dhe prokurorisë ka qenë i vonuar. Nuk e di çfarë ka ndodhur më pas në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”, tha Kurti.

Ai krahasoi rastin me dënimet që, sipas tij, janë shqiptuar më herët ndaj aktivistëve të LVV-së për postime në rrjetet sociale.

“Ju e dini që aktivistët e LVV-së për statuse në Facebook janë dënuar me nga një vit e gjysmë burgim. Ta shohim tash Prokuroria për ata që marrin gotë dhe përgjakin zëvendësministra çfarë ndëshkimi do të kërkojë dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/