LAJMI I FUNDIT:

ASK: Ka rritje në tregtinë me pakicë

ASK: Ka rritje në tregtinë me pakicë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar statistikat afatshkurtra të tregtisë me pakicë për tremujorin e dytë të këtij viti, ku vërehet se ka rritje, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

ASK nëpërmjet një komunikate thotë se tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara ka qenë 13.9%, kurse, tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara ka qenë 5.7%.

“Tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit në dyqane të specializuara (4.2%); Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje (3.8%); Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara (2.0%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuara (1.1%). Ndërsa, rënie është shënuar te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit në dyqane të specializuara (13.9%) dhe te tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara (13.3 %). Ndërkaq, krahasuar tremujorin e dytë të vitit 2017 me tremujorin e dytë të vitit 2016, rritje kanë: Tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara (31.6%); Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara (21.3%); Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara (16.6%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuara (13.1%); dhe Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje (0.6%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Kurse, rënie është shënuar te tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara me 2.5%, tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara me 2.3 % dhe tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara (1.1 %). /Telegrafi/