eksperti-banner

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit për muajin prill 2026, duke paraqitur të dhëna mujore për transportin ajror, hekurudhor dhe sektorin e telekomunikimit.

Sipas ASK-së, në përgjithësi vihet re rritje në përdorimin e telefonisë mobile me kontratë, ndërsa sektorët e transportit kanë shënuar lëvizje të përziera.


Në transportin ajror, gjatë muajit prill 2026 janë realizuar gjithsej 1.106 fluturime, që paraqet rënie prej 5.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Po ashtu, është shënuar ulje edhe në numrin e udhëtarëve ajrorë. Në total janë regjistruar 368.053 udhëtarë, që përbën rënie prej 7.8 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025.

Ndryshe nga transporti ajror, ai hekurudhor ka shënuar rritje. Në prill 2026, numri i udhëtarëve në hekurudha ka arritur në 8.309, që është 3.3 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa nuk është regjistruar transport i mallrave në këtë muaj.

Në sektorin e telekomunikimit, telefonia fikse ka shënuar rritje të lehtë të numrit të përdoruesve. Në prill 2026 janë regjistruar 69.695 përdorues, që paraqet rritje prej 0.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Megjithatë, trafiku i realizuar në telefoninë fikse ka shënuar rënie të ndjeshme, duke arritur në 1.660.635 minuta, apo 13.9 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në telefoninë mobile, ASK ka evidentuar rritje si te përdoruesit me parapagim ashtu edhe te ata me kontratë. Numri i përdoruesve me parapagim ka arritur në 1.495.899, që paraqet rritje prej 0.80 për qind, ndërsa përdoruesit me kontratë janë rritur në 320.697, apo 1.86 për qind më shumë krahasuar me prillin 2025.

Sipas të dhënave, sektori i telekomunikimit vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme, ndërsa transporti ajror paraqet tkurrje në raport me vitin e kaluar. /Telegrafi/