Arthur Milleri, dramaturgjia, komunizmi dhe martesa me Marilyn Monroen

Bisedat e incizuara mbulojnë gjithashtu marrëdhënien e dramaturgut me famën, dyshimin te vetvetja dhe komunizmin.
Nga: Donna Ferguson / The Telegraph (titulli: Arthur Miller opens up about marriage to Marilyn Monroe in newly unearthed recordings)
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte një nga dramaturgët më të mëdhenj të shekullit XX dhe ajo ishte një nga aktoret më të mëdha. Në incizimet e zbuluara së fundmi, të realizuara përgjatë gati tri dekadave, Arthur Milleri foli haptazi për martesën e tij jetëshkurtër me Marilyn Monroen, duke thënë se ajo kërkonte një bashkëshort që të ishte “baba, i dashur, mik dhe agjent,” ndërsa fëmija që ajo dëshironte aq shumë do të kishte qenë “problem shtesë.”
Në bisedat e incizuara me mikun dhe biografin e tij, profesorin Christopher Bigsby, Milleri tha se kishte ndier se “vdekja ishte gjithmonë mbi supin e saj [të Monroes] - gjithmonë.” Ai kishte besuar se, nëse nuk “kujdesej për jetën e saj,” ajo do të arrinte në një “fund shkatërrimtar.”
Lexo po ashtu:
- “Po të isha marroçe, Arthur Milleri nuk do të martohej me mua”
- Fotografi që Marilynit ia hapi dyert e famës
- Dhjetë personalitetet që ndryshuan botën në shekullin XX
- “Some Like It Hot”: Transformimi që ndryshoi jetët dhe bëri komedinë më të madhe në histori
- Profil: Philippe Halsman, një nga fotografët më të mëdhenj të shekullit XX
“Në një rast solla mjekët për ta shpëtuar, sepse kishte gëlltitur mjaftueshëm substanca [ilaçe] për të vrarë veten,” tha ai. “Kështu që ndjeva se ishte në një gjendje shumë delikate psikologjike. Siç doli, u deshën disa vite, por ndodhi. Ishte përtej fuqisë sime apo të kujtdo tjetër për ta ndalur.”
Vdekja e Monroes nga mbidoza e barbiturateve në vitin 1962, në moshën 36-vjeçare, i ishte dukur e pashmangshme. “Ishte e pamundur për të të jetonte, e lëre më me këdo tjetër. Nuk mund të vazhdoje me atë intensitet jete dhe me ato ilaçe e të mbijetoje,” tha ai.
Çifti nisi një lidhje pasionante jashtëmartesore në vitin 1955 dhe u martua në vitin 1956. Milleri tha se iu deshën vetëm disa muaj për ta kuptuar se kishte gabuar. “Nuk isha vërtet i përgatitur për atë për të cilën duhej të isha përgatitur e që ishte fakti se ajo, fjalëpërfjalshëm, nuk kishte burime të brendshme ... Ajo kërkonte një baba, një të dashur, mik, agjent, mbi të gjitha dikë që nuk do ta kritikonte kurrë për asgjë, përndryshe do të humbiste besimin në vetvete. Nuk e di nëse ekziston një qenie e tillë njerëzore.”

Pas një aborti spontan dhe një shtatzënie jashtë mitre të Monroes, çifti kërkoi pa sukses për ndihmë mjekësore, zbulojnë incizimet. Duke reflektuar mbi humbjen e tyre, Milleri tha se ndiente që Monroe donte të bëhej nënë “në një mënyrë ideale,” ndërkohë që punonte nën “presion të jashtëzakonshëm” në Holivud: “Në njëfarë mënyre, nuk jam i sigurt se sa mirë do të kishte qenë për të të kishte fëmijë. Do të ishte problem shtesë ... Nuk jam i sigurt si do të kishte funksionuar në praktikë.”
Ai e përshkroi Monroen si “të këndshme për të qenë me të” dhe “një grua shumë inteligjente” që kishte “një ndjenjë të jashtëzakonshme humori, ironie dhe bujarie,” por tha se më pas e pushtoi “një lloj paranoje.” “Ajo filloi të dyshonte te të gjithë, sikur po e shfrytëzonin ose po e dëmtonin.”
Çifti u largua plotësisht nga njëri-tjetri teksa Monroe po luante në filmin Të papërshtatshmit [The Misfits], të shkruar nga Milleri për të, në vitin 1960. Ata filluan të grindeshin vetëm disa muaj pas martesës, kur Monroe po xhironte Princin dhe valltaren [The Prince and the Showgirl]: “U përfshimë në një debat nëse [regjisori, Laurence] Olivier po e persekutonte atë ... Përfundova duke e mbrojtur atë, dhe kjo ishte gjëja më e keqe që mund të kisha bërë. Por, nuk besoj se ndonjë rrugë tjetër do të kishte rëndësi.”
Në kohën kur ai u largua nga xhirimet e Të papërshtatshmit, martesa e tyre praktikisht kishte marrë fund, tha ai. “Nuk flisnim më. Nuk kishte asnjë mënyrë për t’iu afruar asaj ... Ajo ishte vërtet armiqësore ndaj meje.”

Nga këndvështrimi i karrierës, ai ndiente se kishte kaluar katër vjetët e martesës së tyre “duke mos bërë në thelb asgjë,” përveç Të papërshtatshmit, dhe se edhe nëse ndjenjat e Monroes do të kishin ndryshuar, ai gjithsesi do t’i kishte dhënë fund martesës në atë moment. “Nuk mund të vazhdoja më. Do të më kishte shkatërruar. Nuk mund të punoja më.”
Bisedat e papublikuara më herët u incizuan përgjatë afro 30 vjetëve, duke filluar pak pasi Milleri u takua me Bigsbyn në mesin e viteve ‘70 të shekullit XX dhe duke vazhduar deri disa vite para vdekjes së dramaturgut - fitues i çmimit Pulitzer - në vitin 2005. Ato dolën në dritë pasi Bigsby, tashmë 84 vjeç, i transkriptoi për librin Kasetat e Arthur Millerit: Jeta me fjalët e tij [The Arthur Miller Tapes: A Life in His Own Words], botuar të enjten nga [Shtëpia Botuese] Cambridge University Press.
Milleri zbuloi gjithashtu se si suksesi i jashtëzakonshëm i Vdekja e shitësit [Death of a Salesman] në vitin 1949 - drama e parë në teatrin amerikan që fitoi një çmim të Critics’ Circle, një Tony dhe një Pulitzer - njëkohësisht e fuqizoi atë dhe kontribuoi në prishjen e martesës së tij të parë me Mary Slatteryn. “Horizonti im papritur u hap drejt shumë mënyrave të tjera për të shprehur dominimin tim. Ndihesha sikur mund të bëja gjithçka, dhe mendoj se aty filluam të largoheshim nga njëri-tjetri.”
Ai i tha Bigsbyt se fama “është një formë pushteti që është seksual, ose në mënyrë të nënkuptuar seksual.” Tha se ishte “zhytur plotësisht” në punën e tij, “gjatë gjithë ditës dhe gjithë natës.” “Tani që kujtoj, nuk e di se si mund të jetonte dikush me mua.”
Në të njëjtën kohë, gjatë gjithë jetës së tij ai kishte vënë në dyshim aftësinë e vet për të shkruar, pranoi ai. “E gjithë jeta ime ka qenë një luftë me dyshimin për veten.” Vetëm një “përqindje e vogël” e asaj që kishte shkruar “kishte parë ndonjëherë dritën e botimit,” zbuloi ai.

Milleri foli gjithashtu për flirtin e tij me komunizmin dhe për ndalimin e veprës së tij nga Holivudi pasi refuzoi të identifikonte shkrimtarët komunistë përpara Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Aktivitetet Jo-Amerikane në vitin 1956.
Ai tha se makartizmi krijoi “një lloj ndjesie irracionale të një frike të vazhdueshme se një forcë e padukshme kishte depërtuar në shoqëri dhe po hapte vrima në të për ta rrëzuar. Nuk kishte asnjë mënyrë racionale për t’u përballur me gjithë këtë, sepse sa herë që përpiqeshe ta bëje, mund të akuzoheshe se ishe pjesë e atij komploti.”
Ai kishte frikë se ai dhe njerëzit e tjerë “me mendime kundërshtuese” do të përfundonin “ose në një spital psikiatrik, ose në një lloj sistemi gjysmë-fashist,” duke censuruar veten ndërsa “njerëzit më ekstremë patriotikë do të drejtonin gjithçka.” “Kjo ishte një nga arsyet pse fillova të shkruaja Sprovat e rënda [The Crucible]. Duhej të gjeja një mënyrë për ta trajtuar [atë],” tha ai.
Ai e vendosi dramën gjatë gjyqeve të shtrigave në Salem sepse “ishte thjesht e pamundur të diskutohej ajo që po na ndodhte me terma bashkëkohorë. Duhej të krijohej njëfarë distance ndaj fenomenit. Të gjithë po çmendeshim paksa duke u përpjekur të ishim të ndershëm, të shihnim qartë dhe të qëndronim të sigurt.”
Në incizime, Miller foli gjithashtu për fëmijërinë e tij, përvojën e tij të parë seksuale në një bordello në moshën 16-vjeçare, pikëpamjet e tij mbi sionizmin dhe antisemitizmin si hebre ateist, frymëzimin për Të papërshtatshmit dhe shumë nga dramat e tij, ndikimin e Holokaustit në veprën e tij, si dhe martesën 40-vjeçare me gruan e tij të tretë, Inge Morath.
Bigsby, i cili është profesor emeritus i studimeve amerikane në Universitetin e Ist Anglisë, mendon se idetë dhe përvojat që formësuan jetën dhe karrierën e Millerit bëjnë që dramat e tij të mbeten shumë të rëndësishme edhe sot. “Ai flet për hebraizmin e tij si ndjeshmëri, si shqetësim i vazhdueshëm për brishtësinë e shoqërisë të cilën e mësoi nga Depresioni i Madh dhe e mësoi sërish nga Holokausti, se ne ecim mbi akull shumë të hollë në ndjesinë tonë të qytetërimit,” tha ai. “E gjithë kjo është bazike për Millerin. Ai është një njeri që beson në rëndësinë e historisë, në lidhjen mes së kaluarës dhe së tashmes, sepse kjo është baza e moralit.” /Telegrafi/




















































