Malisheva nënkampione, Llapi mbetet në barazh

Kanë përfunduar ndeshjet e javës së 36-të në Superligën e Kosovës, ku u dhanë edhe verdiktet e fundit të kampionatit.
Me përfundimin e ndeshjeve të sotme, Malisheva e ka arritur për herë të parë në histori të klubit ta mbyllë sezonin si nënkampione, duke u renditur në pozitën e dytë. Malisheva e siguroi këtë vend pas fitores ndaj Dritës me rezultat 3-2.
Për Malishevën shënuan Besnik Ferati dhe Mevlan Zeka (2 gola), duke përmbysur epërsinë e Dritës nga pjesa e parë, kur për mysafirët kishin realizuar Oniks Grezda dhe Mike Artur.

Dukagjini fitoi me rezultat 1-0 ndaj Ballkanit, me golin e vetëm të shënuar nga Mërgim Peçqeli.
Gjilani e mposhti Prishtinën e Re me rezultat 3-2. Golat për Gjilanin i shënuan Armend Thaqi, Blerind Morina dhe Senad Jaroviq, ndërsa për Prishtinën e Re realizuan Rion Rushiti dhe Astrit Berisha.
Drenica mori tri pikë shumë të rëndësishme për mbijetesë në “Fadil Vokrri”, duke e mposhtur Prishtinën me rezultat 2-1. Për Prishtinën shënoi Albin Krasniqi, ndërsa për Drenicën realizuan Iqballa Jashari dhe Indrit Prodani.

Llapi, edhe pse fitoi ndaj Ferizajt me rezultat 3-2, do të luajë në barazh.
Renditja përfundimtare
Drita e mbylli kampionatin si kampione me 66 pikë, ndërsa Malisheva u rendit e dyta me 59 pikë. Ballkani përfundoi i treti me 58 pikë.
Dukagjini e mbylli në vendin e katërt me 51 pikë, ndërsa Gjilani me po aq pikë (51) në vendin e pestë.
Drenica me 50 pikë është e gjashta, ndërsa Prishtina me 49 pikë e shtata.
Llapi mbeti në pozitën e tetë me 49 pikë, për shkak të ndeshjeve direkte me Prishtinën, dhe do të luajë në barazh me Dinamon e Ferizajt.
Ferizaj dhe Prishtina e Re e përfunduan sezonin në dy pozitat e fundit. /Telegrafi/









































