LAJMI I FUNDIT:

“Po të isha marroçe, Arthur Milleri nuk do të martohej me mua”

“Po të isha marroçe, Arthur Milleri nuk do të martohej me mua”

Në vitin 1944, kur i kishte 18 vjet jetë dhe dy vjet martesë me Jimmy Doughertyn, një fotoreporter e mori si model për të demonstruar rolin e femrës amerikane në ndihmë ushtarëve amerikanë. Fotoreporteri bëri shumë më tepër fotografi sesa që i nevojiteshin. Kështu nisi karriera e saj. Rastësisht, si në shumë raste të tjera. 14 vjet më vonë, në vitin 1962, në moshën 36-vjeçare, ajo do të vdesë në apartamentin e saj, pas përdorimit të tepruar të qetësuesve. Ajo që ishte ëndërr e miliona vetave, nuk mund të bënte gjumë të rehatshëm. Ëndrra e shumëkujt ishte bërë makth i saj, transmeton Telegrafi.

Marilyn Moroe u lind si Norma Jean Mortensen Baker me 1 qershor të vitit 1926. Nuk dihet babai i saj. E ëma, Gladys, kishte telashe të mëdha mentale. E paaftë për të siguruar një fëmijëri normale për të bijën, Gladys preferonte ta dërgojë Norman në familje të ndryshme, në fqinjësi të banesës së saj. Në vitin 1935, Norma Jean Baker do të vendoset në një jetimore, ku do të jetojë deri në vitin 1937. Në vitin 1942, do të martohet për herë të parë, në moshën 16-vjeçare.


DËSHIRONTE TË BËHEJ AKTORE SERIOZE

“Unë nuk kam njohur Marilyn Monroen, por Norma Jeanin dhe ajo ishte një vajzë e natyrshme, e zakonshme, modeste, e ndershme”, i kujtohej Jimmy Doughertyt, kur kishte marrë vesh për vdekjen tragjike të Marilyinit. “ Po të mos ishte karriera e saj, ajo kurrë nuk do të braktiste”.

Karriera e saj filmike fillon në vitin 1946, kur nënshkruajti kontratën e parë, e cila i mundësonte 125 dollarë honorar në javë. Pak pasi nënshkroi kontratën, Norma Jean ndërroi emrin në Marilyn Monroe: Emri Marilyn u mor nga aktorja Marilyn Miller, të cilën kjo e respektonte shumë, ndërsa mbiemri Monroe ishte i gjyshes së saj. Roli i saj i parë ishte në filmin “The Shocking Miss Pilgrim” në vitin 1947. Deri në vitin 1950 nuk u vërejt shumë në rolet e saja, të cilat ishin në masë të madhe episodike, por atëherë, falë filmit “Asphalt Jungle” të John Hustonit, regjisorit të madh amerikan, ajo arriti të kthejë kah vetja vëmendjen e shikuesve, regjisorëve dhe producentëve. Kështu, Marilyn u angazhua si partnere e Bette Davis të famshme në filmin “All About Eve”, ku fitoi edhe përkrahjen e parë të kritikëve filmikë.

Më 14 janar të vitit 1954, Marilyn do të martohet për të dytën herë, kësaj radhe me legjendën e bejsbollit amerikan, Joe DiMaggio. Kjo martesë spektakulare, siç u cilësua asokohe, nuk arriti të përballojë më shumë se nëntë muaj kohëzgjatje. Në arsyetimin për divorc u tha që Marilyn dhe Joe DiMaggio nuk mund të vazhdojnë tutje për shkak të “konflikteve të karrierës”. Mbase kjo ishte e vërtetë.

E pakënaqur me rolet të cilat i ofroheshin dhe me kritikat të cilat e reduktonin atë sall në një seks bombë dhe një biondinë shumë të bukur, Marilyn në vitin 1956 nisi studimet e aktrimit në New York’s Actors Studio. Në atë vit Marilyn po ashtu lansoi “Marilyn Monroe Production” me fotografin Milton Greene. Kjo kompani prodhoi filmat “Bus Stop” dhe “The Prince and the Showgirl”, ku Marilyn më në fund arriti të tregohet si një aktore serioze. Dukej që tani ajo do ta kontrollonte karrierën e saj.

MARTESA E TRETË ME GJENIUN E LETRAVE

Më 29 qershor të vitit 1956, Marilyn Monroe shpall martesën e saj të tretë. Burri i saj i ri ishte Arthur Miller, njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj amerikan të kohës. Në vitin 1961, Miller shkruajti “The Misfits”, i cili ishte filmi i saj i fundit i kryer gjatë jetës së saj. Martesa e Monroes me Millerin zgjati deri në vitin 1961. Ishte pra martesa më e gjatë e saj. Në një rast, gjatë kësaj martese, Marilyn pos tjerash pat deklaruar: “Po të isha një biondinë marroçe, nuk do të më merrte për grua Arthur Miller”.

Në vitet e fundit të jetës së saj, Marilyinin e përcollën aferat e shumta erotike, dy nga të cilat ishin të veçanta: Me presidentin e SHBA-së, John Jack Kennedyn, të cilit ia këndoi këngën “Happy Birthday Mrs. President” dhe Robert Bob Kennedyn, Kryeprokurorin amerikan. Këto afera i shkaktuan, sipas të gjitha gjasave, kriza të mëdha nervore Marilynit, e cila nuk arrinte dot të kuptojë çfarë duhet të bëjë me jetën e saj. Lidhja e saj me Bob Kennedyn posaçërisht është përcjellë me vëmendje të opinionit dhe ka shkaktuar lansimin e teorive, sipas të të cilave Marilynit i ishte mërzitur jeta edhe për shkak të inistimit të Bobit që patjetër të ndahet prej saj.

Në vitin 1962, vitin fatal për Marilyn Monroe, kjo mori Çmimin Golden Globe në kategorinë “World Film Favorite – Female”. Në natën e 4 gushtit, Marilyn vdiq në gjumë, në shtëpinë e saj në Brentwood, kaliforni. I kishte vetëm 36 vjet.

Varri i Marilyn Monroe gjindet në Memorial Park në Los Angelos. Në testamentin e saj, të gatitur një vit para vdekjes, ajo gjeti vend për të gjithë miqtë e saj dhe posaçërisht për të ëmën Gladys, e cila nuk arriti të sigurojë fëmijëri dhe rini të zakonshme Marilynit.

Marilyn Monroe në karrierën e saj xhiroi tërësisht 30 filma.

“SEKSI ËSHTË PJESË E NATYRËS…”

Marilyn Monroe kishte një karrierë të jashtëzakonshme e cila e bëri seks simbolin më të madh në historinë e filmit amerikan. “Ky është problem në vete, sepse seks simboli vjen e bëhet një send. Por nëse unë patjetër duhet të bëhem simbol i diçkahit, atëherë do të preferoja që të jem seks simbol”, pat thënë një herë Marilyn Monroe.

“Seksi është pjesë e natyrës. E unë preferoj të jem me natyrën”, pat konkluduar Marilyn.

Në paraqitjet e saj publike dukej shumë e lumtur, e dëlirë, e kënaqur me jetën e saj, të thuash e pabrengë. Por, Marilyn Monroe reale ishte një femër krejtësisht tjetërfare. Ajo ishte një femër shumë neurotike e cila nuk arrinte dot të kontrollojë sjelljet dhe karrierën e vet. Marilyn Monroe ta zëmë, gjithmonë kishte probleme me kohën, prandaj me një rast pat deklaruar: “Unë kam qenë prezente në shumë kalendare (si bukuroshe, natyrisht), por gjithmonë kam probleme me kohën”.

Gati gjithmonë e dehur dhe e droguar, Marilyn u pat shndërruar në problem të madh gjatë xhirimit të filmave. Regjisori i famshëm Billy Wilder, i cili me Marilynin xhiroi filmin e njohur “Some Like it Hot” (ku partner të saj ishin Tony Curtis dhe Jack Lemon), pat deklaruar që në karrierën e tij të gjatë si regjisor, nuk ka pasur punë me një aktore aq të ndërlikuar dhe problematike si Marilyn Monroe. Thuhet që një skenë është xhiruar dhjetëra herë, në të cilën Marilyn e dehur, duhej të kërkonte edhe një whisky. Ajo si për inat, në fund kërkoi burbon e jo whisky.

Për karakterin e saj problematik dhe mëdyshjet se çfarë duhet të bëjë me jetën, flet edhe fakti që ishte e martuar me sportistin dhe dramaturgun më të njohur amerikan, profesione këto që të thuash nuk kanë asgjë të përbashkët.

Sidoqoftë, askush nuk mund të kontesojë një meritë të madhe që ka Marilyn Monroe: Paraqitja e saj ndërroi pikëpamjen për seks në tërë Amerikën dhe në mbarë botën. Ajo për herë të parë nisi të komunikojë hapur me opinionin amerikan për seksin. Kalendari i saj i famshëm i cili shërbeu Hew Hafnerit për të bërë ballinën e numrit të parë të magazinën tashti më të njohur në botë, “Playboy”, kur u paraqit, edhe pse i edituar në pak kopje, rrezikonte të ndalohej, sepse u paraqit në erën e Senatorit McCarthy, i cili luftonte me çdo kusht komuniznim, pornografinë dhe çkadoqoftë që sipas tij rrezikonte vlerat tradicionale amerikane. Hafner, i cili numrin e parë të “Playboyit” e botoi me para të huazuara, nuk kishte çfarë të humbë. Prandaj edhe fitoi aq shumë dhe kurrë nuk harron meritën e Marilyn Monroes për këtë.

ASAJ I PËRKULEN TË GJITHË

Jo shumë vite më parë, Hedy Lamar pat telashe të mëdha për shkak të një skene lakuriqe në filmin “Ecstasy”. Producentët amerikanë, para Luftës së Dytë Botërore, e kishin rreptësisht të ndaluar çfarëdo skene erotike. Madje, nuk lejohej që edhe një çift i martuar të paraqitej i shtrirë në shtrat, qoftë edhe i veshur!!! Marilyn Monroe, në anën tjetër, me një natyrshmëri të paparë deri atëherë, lakuriqohej para kamerave.

“Ajo fotografohej lakuriq, sepse këtë e dëshironte vetë. Askush nuk ka mundur ta bindë atë të bëjë diç që nuk dëshironte. Ishte një femër shumë kokëfortë”, i kujtohet njërit prej shumë fotografëve të saj.

Marilyn Monroe si askush para saj, arriti të promovojë seksin duke mos rrëshqitur në imazhin e një lavireje apo të një “femre të lehtë”. Tekefundit, ajo u bë e njohur për çdo shtëpi amerikane dhe fotografitë e saj u gjetën kudo, prej banesave të thjeshta deri te Shtëpia e Bardhë. Mund të jetë e vërtetë që frustrimet e saj u shprehën edhe me faktin që u martua me sportistin dhe dramaturgun më të njohur të Amerikës. Por, në anën tjetër, dashuria ndaj saj e DiMaggios dhe Millerit dëfton se sa joshëse dhe e madhe ishte Marilyn Monroe për meshkujt më të njohur amerikanë.

Marilyn Monroe nuk është njeriu i parë dhe as i fundit që pësoi prej famës së madhe. Sipas të gjitha gjasave, këtë titull më së pari e meritoi filozofi antik, Sokrati, i cili vërtet u dënua me vdekje, pasi që fama e tij ishte e papërballueshme për Athinën antike. Por, pakkush si Marilyn Monroe ka vazhduar të jetë i famshëm edhe pas vdekjes. Ajo erdh dhe u bë një ikonë moderne, falë edhe manipulimeve artsitike të Andy Warholit, së cilës i përkulen të gjithë. Aq më tepër, imitimi i saj, është një trend i cili vazhdon të jetë i fuqishëm në Hollywood dhe gjetiu. Dihet që edhe Madonna, në shumë spote të saja u mundua të jetë një Marilyn Monroe e pop muzikës dhe e viteve të nëntëdhjeta. Pastaj, dihet që shumë manekine apo aktore bjondine, depërtojnë në karrierën e tyre falë ngjashmërisë fizike me Marilyn Monroen.

Në qershor të këtij viti, Marilyn Monroe, po të ishte gjallë, do t’i mbushte 92 vjet jete. Pakkush mund të paramendojë një plakë bjondine, çfarë do të ishte Marilyn Monroe.

Ajo vdiq e re dhe përherë do të kujtohet si e tillë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Skulptura
INTIME

INTIME

Poezi
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Fjala+
PAGJUMËSI

PAGJUMËSI

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
Kalo në kategori