Arsenali synon ta shet yllin e skuadrës në verë


Arsenali pritet të shqyrtojë mundësinë e largimit të të paktën një lojtari të rëndësishëm gjatë afatit kalimtar të verës, në mënyrë që të financojë një tjetër fushatë të madhe transferimesh.
Kështu ka deklaruar gazetari i BBC-së, Sami Mokbel, i cili beson se drejtuesit e klubit londinez janë të vetëdijshëm për nevojën e balancimit të shpenzimeve pas investimeve të konsiderueshme të bëra në sezonet e fundit.
“Pres që të ketë të paktën një largim të profilit të lartë te Arsenali. Aktualisht ka një fokus të madh te largimet, duke marrë parasysh shpenzimet e bëra sezonin e kaluar”, tha Mokbel në kanalin Latte Firm në YouTube.
“Shumë njerëz do të thonë se Arsenali nuk ka nevojë të shesë. Ndoshta nuk ka nevojë, por është e mençur ta bëjë këtë. Klubet më të mira dinë t’i shesin asetet e tyre në momentin e duhur dhe ekziston një mirëkuptim brenda Arsenalit se duhet të jenë më proaktivë, të paktën duke dëgjuar ofertat për lojtarët e tyre”.

Mokbel la të kuptohet se një nga emrat që mund të sakrifikohet është kapiteni Martin Odegaard.
“Ka pasur disa zëra gjatë verës që sugjerojnë se Arsenali mund të jetë i gatshëm ta lërë Martin Odegaard të largohet për çmimin e duhur”, shtoi ai.
Mesfushori norvegjez ka qenë një nga figurat kryesore të Arsenalit në vitet e fundit dhe largimi i tij do të përbënte një surprizë të madhe për tifozët e klubit.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Arsenali është i gatshëm të shesë Odegaardin, ndërsa mbetet të shihet nëse ndonjë klub do të paraqesë një ofertë që do t’i bindte drejtuesit londinezë të ndaheshin me kapitenin e tyre./Telegrafi/






































