Arsenali futet fuqishëm në garë për talentin e West Ham

Arsenali po përgatit një lëvizje të rëndësishme në afatin kalimtar për mesfushorin portugez Mateus Fernandes, i cili aktivizohet te West Ham United.
Sipas raportimeve, londinezët janë të gatshëm të investojnë rreth 45 milionë euro për talentin 21-vjeçar, i cili ka zhvilluar një sezon shumë të mirë në Ligën Premier dhe ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.

Trajneri Mikel Arteta e sheh Fernandes si profilin ideal për mesfushën e skuadrës, falë aftësisë së tij për të luajtur si në fazën defensive, ashtu edhe në organizimin e lojës. Portugezi ka regjistruar pesë gola dhe katër asistime këtë sezon, duke treguar pjekuri dhe personalitet në nivelet më të larta të futbollit anglez.
Pas humbjes në finalen e Kupës së Ligës ndaj Manchester City, drejtuesit e Arsenalit kanë vendosur të forcojnë skuadrën me alternativa cilësore për të rritur konkurrencën dhe për të synuar suksesin në Ligën e Kampionëve.
Klubi londinez kërkon më shumë thellësi në repartin e mesfushës për t’u dhënë pushim lojtarëve si Declan Rice dhe Martin Zubimendi gjatë sezonit të ngarkuar.
Interesimi për Fernandes nuk është vetëm nga Arsenali, pasi edhe Paris Saint-Germain dhe Atletico Madrid po monitorojnë situatën e tij.
Megjithatë, “Topçinjtë” synojnë të lëvizin shpejt për të siguruar shërbimet e mesfushorit para rivalëve të tyre.
Arsenali vlerëson veçanërisht faktin që Fernandes njeh tashmë ritmin dhe kërkesat fizike të futbollit anglez, ndërsa fleksibiliteti i tij taktik konsiderohet një element kyç për planet afatgjata të Artetës.
Drejtuesit e klubit besojnë se afrimi i tij do të forconte ndjeshëm projektin ambicioz të skuadrës për të rikthyer dominimin në futbollin anglez dhe për të konkurruar fuqishëm në arenën evropiane.
Klubi pritet të jetë shumë aktiv gjatë afatit kalimtar së verës për të ndërtuar një skuadër më të kompletuar dhe konkurruese për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/






















































