ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Federata Angleze e Futbollit (FA) thuhet se kishte arritur një marrëveshje verbale me një nga trajnerët më të mëdhenj në botë për ta emëruar në krye të kombëtares së Anglisë, përpara se posti t'i besohej Thomas Tuchel.

Pas dorëheqjes së Gareth Southgate, e cila erdhi pas humbjes së Anglisë në finalen e Euro 2024 ndaj Spanjës, FA nisi kërkimet për një trajner që do të kishte vetëm një objektiv: fitimin e Kupës së Botës 2026.


Ndërkohë që Lee Carsley drejtoi përkohësisht ekipin nga gushti deri në nëntor të vitit 2024, më pas në krye të "Tre Luanëve" u emërua Thomas Tuchel.

Trajneri gjerman nisi zyrtarisht punën më 1 janar 2025 dhe e udhëhoqi Anglinë drejt kualifikimit për Botërorin me një bilanc perfekt: tetë fitore në tetë ndeshje, pa pësuar asnjë gol.

Edhe në Kupën e Botës, Anglia kaloi pa vështirësi fazën e grupeve me fitore ndaj Kroacisë dhe Panamasë, ndërsa barazoi 0-0 me Ganën.

Në fazën e 1/16-ës, dy golat vendimtarë të Harry Kane shmangën eliminimin ndaj Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa Jude Bellingham ishte protagonisti kryesor në suksesin dramatik 3-2 ndaj Meksikës.

Në çerekfinale, Anglia përmbysi Norvegjinë e Erling Haaland falë një tjetër paraqitjeje spektakolare të Bellingham, i cili realizoi dy gola dhe siguroi kualifikimin pas vazhdimeve.

Në gjysmëfinale, anglezët kaluan të parët në avantazh ndaj Argjentinës me golin e Anthony Gordon, por në minutat e fundit Enzo Fernandez dhe Lautaro Martínez përmbysën rezultatin, duke i dhënë fund ëndrrës së Anglisë për një finale botërore.

Pas eliminimit, Thomas Tuchel u përball me kritika të ashpra nga tifozët, analistët dhe madje edhe nga disa futbollistë të tij. Shumë e akuzuan se ekipi u tërhoq shumë në mbrojtje dhe ia dorëzoi iniciativën Argjentinës, pikërisht për të njëjtën arsye për të cilën ishte kritikuar edhe Gareth Southgate.

Megjithatë, sipas një raportimi të The Athletic, historia mund të kishte marrë një drejtim krejt tjetër.

Media britanike zbulon se objektivi kryesor i Federatës Angleze ishte Pep Guardiola. Madje, FA kishte arritur një marrëveshje verbale me trajnerin spanjoll për ta emëruar pasues të Southgate, por Guardiola vendosi në fund të qëndronte edhe një sezon te Manchester City.

Guardiola nuk arriti të fitonte asnjë trofe gjatë sezonit 2024/25, por në sezonin pasues triumfoi në FA Cup dhe Carabao Cup.

Në fund të edicionit 2025/26 ai u largua nga Manchester City dhe aktualisht është pa skuadër./Telegrafi/

telegrafi sport app