LAJMI I FUNDIT:

Android dyfishon numrin e aplikacioneve, për dy muaj

Android dyfishon numrin e aplikacioneve, për dy muaj

Sipas statistikave jozyrtare të AndroLib thuhet se shumë shpejt Android Market do të ketë rreth 200 mijë aplikacione.

Është i mahnitshëm fakti se vetëm dy muaj më parë, numri i aplikacioneve në sistemin operativ mobil Android ishte vetëm 100 mijë aplikacione.

Për ta arritur shifrën prej 100 mijë aplikacioneve, platformës mobile Android iu nevojiten rreth dy vjet. Tani, për vetëm dy muaj numri i tyre u dyfishua, dhe kjo me siguri tregon më së miri popullaritetin e këtij sistemi operativ të cilin e ka krijuar kompania Google.

Edhe pse është ende prapa sistemit operativ të Apple, iOS i cili ka mbi 300 mijë aplikacione, një ritëm i tillë do të nënkuptonte që në muajin mars të vitit të ardhshëm, Android do të bëhej sistemi i parë operativ për telefonat e mençur mobil në treg.

Por sasia nuk do të thotë cilësi. App Store i Apple është e njohur për rregullat e saj, sipas të cilave çdo aplikacion mund të hyjë aty, vetëm pas aprovimit paraprak nga kompania. Në anën tjetër, pothuajse mbi 60 për qind e aplikacioneve në Android janë falas, pasi që ky sistem operativ ka shumë pak kufizime për zhvilluesit. / Telegrafi /