Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për miqësoren kundër Andorrës, që luhet më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pas seancës, futbollisti Veldin Hoxha ka folur për gjendjen në skuadër dhe për synimet në ndeshjen e ardhshme.

Hoxha bëri të ditur se ekipi ka kryer analizën e ndeshjes së kaluar ndaj Çekisë dhe tashmë është i vetëdijshëm për elementet që duhen përmirësuar.


“Kemi bërë analizën e ndeshjes kundër Çekisë. Kemi pasur momente të mira, por edhe momente të këqija. E dimë se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe në ndeshjen e radhës do të japim gjithçka për të luajtur më mirë dhe për ta fituar ndeshjen”, deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se Andorra nuk duhet nënvlerësuar, edhe nëse në letër duket kundërshtar më i lehtë se Çekia, pasi çdo ndeshje kërkon qasje të njëjtë dhe përgatitje të plotë.

“Andorra mund të duket si kundërshtar më i lehtë se Çekia, por nuk është ashtu. Ne do të përgatitemi maksimalisht dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”, theksoi Hoxha.

Ndërkohë, gjatë stërvitjes së sotme, portieri Arijanet Muriç ka ndier shqetësim në muskujt e kërdhokullës së djathtë, ndërsa stafi mjekësor do të kryejë ekzaminimet për të saktësuar gjendjen e tij dhe nëse rrezikon të mungojë.


“Dardanët” do të vazhdojnë përgatitjet në ditët në vijim, me synimin që të paraqiten sa më mirë para tifozëve të tyre në “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/

telegrafi sport app