KQZ shpall rezultatet preliminare
Qytetarët e Kosovës sot, më 7 qershor i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2,092,174 qytetarë, ndërkaq për herë të parë do të votojnë 22,685 qytetarë të rinj.
Procesi zgjedhor zhvillohet në 949 qendra të votimit me gjithsej 2,550 vendvotime në të gjithë Kosovën.
Telegrafi.com do të përcjellë gjatë gjithë ditës ecurinë e procesit zgjedhor, ndërkaq, të gjitha lajmet lidhur me fushatën parazgjedhore mund t'i lexoni këtu: /Telegrafi/
07/06/2026 23:13- Rezultatet preliminare, KQZ: Vetëvendosje e para, PDK e dyta, LDK e treta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare lidhur me zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur sot.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se në bazë të rezultateve preliminare për subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje prin e para, e pasuar nga PDK-ja, LDK-ja e Aleanca.
“Por, deri në këto minuta nga 96.84% të pikëve të votimit, e kemi këtë rezultat: Lëvizja Vetëvendosje me 43.06%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.24%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.70%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07%”, tha Radoniqi.
Ai tha se rezultatet do të publikohen pas numërimit të të gjithë votimit si me postë ashtu edhe me kusht.
07/06/2026 20:57- DnV publikon rezultatet preliminare, LVV kryeson garën
Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare, Demokracia në Veprim (DnV) në një konferencë për media ka prezantuar rezultatet preliminare të procesit të sotëm të zgjedhor.
Sipas rezultateve preliminare të DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 42.7 %, e dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 21.5 % , e treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.7% dhe Aleanca me 7.1 %.
07/06/2026 20:56- Prokuroria e Shtetit: Pesë persona të ndaluar për vepra penale kundër të drejtave të votimit
Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve ka trajtuar një numër informacionesh dhe raportimesh lidhur me dyshimet për shkelje të procesit zgjedhor, ndërsa deri në mbylljen e votimit janë identifikuar 17 raste që përmbajnë elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Sipas njoftimit zyrtar, mbi 100 prokurorë dhe pjesëtarë të sistemit prokurorial kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë ditës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend.
07/06/2026 20:55- Hamza reagon pas mbylljes së votimit: Të mbrohet çdo votë e qytetarëve
Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen dhe sjelljen e tyre gjatë procesit zgjedhor të së dielës, duke vlerësuar kulturën demokratike dhe përgjegjësinë qytetare të treguar në mbarë vendin.
Në një reagim pas përfundimit të votimit, Hamza tha se qytetarët dëshmuan edhe një herë besimin e tyre në fuqinë e votës dhe në të drejtën demokratike për të vendosur për të ardhmen e vendit.
07/06/2026 20:54- Gjini bën thirrje për numërim korrekt pas mbylljes së vendvotimeve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në të gjithë vendin, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe duke kërkuar kujdes maksimal gjatë numërimit të votave.
Përmes një mesazhi në Facebook, Gjini u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të jenë korrektë dhe të sigurojnë që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve.
07/06/2026 20:53- Mbyllja vendvotimeve, reagon Kurti
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit, duke u bërë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të kujdesen për integritetin e procesit të numërimit të votave.
Përmes një mesazhi publik, Kurti tha se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme ndodhet tashmë brenda kutive të votimit dhe se mbrojtja e tij është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.
07/06/2026 19:45- Pjesëmarrja në zgjedhje 36.33%, KQZ paralajmëron rezultatet preliminare sonte
Në konferencën e katërt pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i sotëm zgjedhor ka kaluar i qetë pa ndonjë incident që do ta cenonte integritetin e këtyre zgjedhjeve.
Pjesëmarrja e qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje ishte 712 mijë e 148 votues apo 36,33%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025 kishin votuar 44,99% apo 899 mijë e 517 votues.
Kështu bëri të ditur kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
07/06/2026 19:05- Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë
Në të gjithë vendin janë mbyllur qendrat e votimit, duke përmbyllur procesin zgjedhor të ditës.
Pas një procesi që ka zgjatur nga ora 07:00 deri në ora 19:00, qytetarët kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës në qendrat përkatëse.
Institucionet përgjegjëse pritet të nisin së shpejti procedurat e numërimit të votave dhe publikimin e rezultateve preliminare.
Procesi është zhvilluar në përgjithësi pa probleme të mëdha, sipas informacioneve të para nga terreni.
07/06/2026 18:34- DnV: Dalja në votime, 10% më e ulët se në zgjedhjet e 2025-tës
Demokracia në Veprim njofton se dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat nga terreni tregojnë që interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.
Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29%. Sa për krahasim, dalja në votime në kohën e njejtë në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë.
07/06/2026 18:26- Dy të arrestuar në Pejë, dyshime për ndikim në vota në favor të Listës Serbe
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, pas dyshimeve për ndërhyrje në procesin zgjedhor në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, veprimet policore janë ndërmarrë pas pranimit të një informacioni për aktivitete të dyshuara të kundërligjshme që lidhen me ndikimin në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë zgjedhjeve.
Lexo më shumë>>>
07/06/2026 17:57- 902 kandidatë garojnë për 120 ulëse në Kuvend, Prizreni dhe Prishtina kryesojnë listën
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026, për 120 ulëse në Kuvend do të garojnë gjithsej 902 kandidatë nga komunat e Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Demokracia në Veprim (DnV), numri më i madh i kandidatëve vjen nga Prizreni me 157 kandidatë, i ndjekur nga Prishtina me 153.
07/06/2026 17:56- Monitorimi i zgjedhjeve, ambasadori gjerman jep vlerësim pozitiv
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se dita e zgjedhjeve në Kosovë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente, gjatë vizitave të tij në qendrat e votimit në kuadër të ushtrimit të monitorimit “Diplowatch”, të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Në një deklaratë ai tha se së bashku me ekipet e ambasadës gjermane po vëzhgojnë procesin zgjedhor në disa lokacione.
07/06/2026 17:28- Abdixhiku thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni, përcaktoni fatin e Republikës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, në orët e fundit të procesit zgjedhor.
Në një mesazh publik, Abdixhiku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke nënvizuar se qytetarët po vendosin për të ardhmen e vendit për katër vitet e ardhshme.
07/06/2026 17:06- Haradinaj dhe Gjini me thirrje për qytetarët: Dilni dhe votoni për Kosovën
Ramush Haradinaj ka publikuar një video së bashku me kandidatin për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, duke u bërë thirrje qytetarëve që në orët e fundit të procesit zgjedhor të dalin masivisht në votime.
Në mesazhin e publikuar, Haradinaj u është drejtuar qytetarëve, aktivistëve dhe strukturave të Aleancës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në votim.
07/06/2026 17:00- “Mos e lini për në fund”, Kurti me thirrje të fundit për votim
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Kurti theksoi se kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e vendvotimeve dhe se çdo votë është e rëndësishme për të ardhmen e shtetit.
07/06/2026 16:16- Mbi 140 mijë votues më pak se më 28 dhjetor, bie pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 445 mijë e 622 qytetarë, që përbën 22.74 për qind të elektoratit.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, pjesëmarrja në votime deri në këtë orë është dukshëm më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
07/06/2026 15:47- KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar 22.74% e qytetarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e tretë me radhë lidhur me procesin zgjedhor që po zhvillohet sot në tërë territorin e Kosovës.
Gjatë konferencës u tha se deri në orën 15:00 dalja e qytetarëve me të drejtë vote është 445 mijë e 622 votues apo 22,74%.
07/06/2026 15:06- "Fushata më agresive ndonjëherë", Rashiq kërkon që qytetarët të votojnë të lirë dhe pa presion
Kryetari i Partisë Demokratike Progresive të Kosovës (PDS), Nenad Rashiq, ka deklaruar se fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare është shoqëruar me presione dhe metoda represive, duke e cilësuar atë si një nga më të ashprat dhe më agresivet deri më tani.
Duke folur në ditën e votimit, Rashiq tha se pret që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë demokratike, pavarësisht ngjarjeve që, sipas tij, kanë shënuar javët e fundit të fushatës.
07/06/2026 14:55- "Çdo palë zgjedhje janë test i demokracisë" - BE monitoron votimin në Prishtinë e Graçanicë
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e procesit të votimit gjatë vizitave në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Graçanicë.
Sipas njoftimit, ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në kuadër të iniciativës së koordinuar nga BE-ja, “Diplomatic Watch”, është shprehur e kënaqur me mënyrën se si po zhvillohet procesi i votimit.
07/06/2026 14:44- Qytetari ngre shqetësime për markerin zgjedhor, pretendon se ngjyra largohet lehtësisht nga gishti
Kosova po zhvillon procesin e votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Shikoni pamjet KËTU.
07/06/2026 14:40- LDK vlerëson pozitivisht ecurinë e votimit deri në mesditë
Në një konferencë për media, kandidati i LDK-së për deputet, Festim Kabashi, deklaroi se procesi i votimit deri më tani po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa probleme serioze.
"Sipas informacioneve që kemi deri tani, procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa probleme serioze", u shpreh ai.
07/06/2026 14:32- Shqyen fletëvotimet në Drenas dhe Prishtinë, dy persona dërgohen në mbajtje
Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste “Asgjësim i dokumentit të votimit”, në Drenas dhe në Prishtinë, ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
07/06/2026 14:30- Elbert Krasniqi merret në pyetje pas denoncimit nga Veton Berisha për ndikim në zgjedhje, Policia: S'ka elemente të shkeljes
Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK) dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është intervistuar nga Policia e Kosovës pas pretendimeve për ushtrim presioni ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian gjatë procesit zgjedhor.
Sipas raportimeve në media, ndaj Krasniqit janë ngritur dyshime se ka ushtruar ndikim mbi votuesit e komunitetit egjiptian.
07/06/2026 13:25- Dalja e qytetarëve në zgjedhje deri në mesditë është 12,2%, votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake
Demokracia në Veprim (DnV) në një konferencë për media ka bërë të ditur se që nga hapja vendvotimeve në orën 07:00 procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. DnV theksoi se deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 12% e qytetarëve.
Në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi. Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, me 13,2%. Dalja më e vogël është në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës, 9%.
DnV ka paraqitur edhe parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit.
07/06/2026 12:43- Abdixhiku: Pres pjesëmarrje masive të popullit të Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një moment të rëndësishëm për demokracinë në vend.
07/06/2026 12:43- Kryeziu: E di që ka qytetarë të revoltuar, të lodhur, që s’duan të dalin fare në zgjedhje - por Kosova mbrohet edhe me votë
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe zhvillimet e procesit zgjedhor, duke bërë thirrje për votim dhe organizim qytetar.
07/06/2026 11:44- Radoniqi: Deri në orën 11:00 kanë votuar 8.29 për qind e qytetarëve, pak më shumë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e dytë për media lidhur me procesin e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
07/06/2026 11:35- Haxhiu: Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë, ndërkaq ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes.
07/06/2026 11:28- Largohet flamuri serb nga qendra e votimit në Gorazhdec të Pejës
Në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës është raportuar vendosja e një flamuri serb në një qendër votimi, duke nxitur reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka larguar atë nga hapësira e qendrës së votimit.
07/06/2026 11:21- Hamza: Sot vendosim për Kosovën, ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës së bashku me familjen, duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në procesin zgjedhor.
07/06/2026 11:08- Këto janë komunat me pjesëmarrjen më të lartë në votim deri më tani
Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ka arritur në 3.05 për qind deri në orën 09:00, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
07/06/2026 11:07- Ardian Gjini voton në Gjakovë, u bën thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të procesit zgjedhor që po zhvillohet në vend.
07/06/2026 10:14- Voton Osmani, bën thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve
Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik.
Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
07/06/2026 09:53- Kurti voton në zgjedhjet e parakohshme, fton qytetarët të dalin sa më masivisht në votime
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin zgjedhor.
Pas votimit, Kurti deklaroi se dita e zgjedhjeve është një ditë e rëndësishme për vendin, ndërsa inkurajoi qytetarët që paraprakisht të verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
07/06/2026 09:44- Lista Serbe sërish voton në grup
Lista Serbe është raportuar edhe një herë për organizimin e votimit në grup gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, një praktikë që sipas vëzhguesve dhe kritikëve është përsëritur edhe në proceset e mëparshme zgjedhore.
07/06/2026 09:28- Deri në ora 09:00 votuan 2.67% e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vënë në funksion platformën elektronike për publikimin e statistikave të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare.
Përmes kësaj platforme, qytetarët, mediat dhe subjektet politike mund të ndjekin në kohë reale ecurinë e procesit zgjedhor në të gjithë Kosovën.
Të dhënat e fundit tregojnë se deri në ora 09:00 në procesin e votimit kanë marrë pjesë 2.67 për qind e votuesve me të drejtë vote, ose 52.254 votues.
07/06/2026 09:25- DnV raporton parregullsi në nisjen e procesit të votimit
Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar gjetjet e para nga monitorimi i Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare, duke bërë të ditur se procesi i votimit ka nisur kryesisht i qetë, por me disa parregullsi të evidentuara në terren.
Në raportin e publikuar, DnV bën të ditur se nga gjithsej 2,550 vendvotime në vend, 1.6 për qind janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, ndërsa në disa raste vonesat janë shkaktuar edhe nga mungesa e kabinave të votimit.
07/06/2026 08:14- Kosova voton sot – hapen vendvotimet në mbarë vendin
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, pasi materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet është shpërndarë me kohë gjatë orëve të hershme të mëngjesit.
Në një konferencë për media, Elezi bëri të ditur se në listën e votuesve janë të regjistruar 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote, duke i ftuar ata që të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
07/06/2026 08:01- Si mund ta verifikoni online qendrën tuaj të votimit?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të gjithë qytetarët me të drejtë vote mund të kontrollojnë lehtësisht vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit përmes platformës elektronike të institucionit.
KQZ u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë shërbim për t’u informuar me kohë rreth vendvotimit të tyre dhe për të lehtësuar procesin e votimit në ditën e zgjedhjeve.
Për verifikimin e qendrës së votimit mund të përdoret platforma: qv.kqz-ks.org.
07/06/2026 07:35- Radoniqi voton në Pejë, bën thirrje për respektimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka ushtruar të drejtën e votës në Pejë, me ç’rast u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proces që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore.
Radoniqi tha se KQZ-ja ka qenë e angazhuar intensivisht në përgatitjet për ditën e zgjedhjeve dhe se të gjitha procedurat e nevojshme janë përmbyllur me kohë.
07/06/2026 07:25- Këto janë 38 qendrat e votimit me kusht
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e përgjithshme të qendrave të votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit më 7 qershor 2026 në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi me kusht. Pra, në të gjithë Republikën e Kosovës, janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 52 vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.
07/06/2026 07:20- 22,685 persona do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 7 qershorit
Qytetarët e Kosovës sot i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues.
07/06/2026 07:14- Mbi 100 prokurorë të angazhuar në mbrojtje të votës
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat mbahen të dielën më 7 qershor 2026, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në njoftim bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, gjersa bëhet thirrje që të denoncohet çdo keqpërdorim apo manipulim i votës.
07/06/2026 07:10- Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku mund të raportoni çdo rast të kundërligjshëm
Policia e Kosovës, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve institucionale, ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen sot, më 7 qershor 2026.
“Si zakonisht, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.
Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në njoftim.


