902 kandidatë garojnë për 120 ulëse në Kuvend, Prizreni dhe Prishtina kryesojnë listën

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026, për 120 ulëse në Kuvend garojnë gjithsej 902 kandidatë nga komunat e Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Demokracia në Veprim (DnV), numri më i madh i kandidatëve vjen nga Prizreni me 157 kandidatë, i ndjekur nga Prishtina me 153.
Në mesin e komunave me përfaqësim më të lartë janë edhe Ferizaj me 77 kandidatë, Peja me 68 dhe Fushë Kosova me 55 kandidatë.
Në anën tjetër, komunat me numrin më të vogël të kandidatëve janë Zubin Potoku, Parteshi dhe Kllokoti me nga një kandidat secila, ndërsa Shtërpca dhe Zveçani kanë nga dy kandidatë.
Të dhënat tregojnë një përqendrim të madh të kandidatëve në komunat më të mëdha të vendit, ndërsa komunat me numër më të vogël banorësh kanë edhe përfaqësim dukshëm më të ulët në garën për deputetë.
Zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot pritet të sjellin një garë të gjerë politike. Sipas KQZ-së mbi dy milionë qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote. /Telegrafi/



































