Pacolli për Aeroportin e Vlorës: Koha e emocioneve ka kaluar, do t’i drejtohemi arbitrazhit dhe drejtësisë

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me situatën rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se kompania e tij ka kërkuar për muaj me radhë qasje në kantier për përfundimin e punimeve, por sipas tij kjo është penguar nga institucionet shqiptare.
Pacolli ka thënë se tashmë “koha e emocioneve ka kaluar” dhe se çështja do të trajtohet përmes fakteve, dokumenteve dhe procedurave ligjore.
“Që nga muaji mars, i jemi drejtuar çdo ditë institucioneve shtetërore, si palë kontraktuese, duke kërkuar që të përmbushin detyrimet e tyre kontraktore, të krijojnë kushtet e nevojshme dhe të mundësojnë qasjen tonë në kantier, në mënyrë që të përfundonim edhe punimet e mbetura dhe ta vinim aeroportin në operim”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar edhe nga organet e drejtësisë zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura për të identifikuar, siç është shprehur ai, personat përgjegjës për krijimin e kësaj situate.
“Kemi kërkuar çdo mundësi për të evituar një Arbitrazh që do të jetë shumë i rëndë për palët”, ka shkruar Pacolli.
Sipas tij, kontrata e koncesionit për Aeroportin e Vlorës është lidhur në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare, me qëllim ndërtimin, përfundimin dhe operimin e aeroportit.
“Për fat të keq, kjo kontratë nuk u lejua të arrinte fazën e operimit dhe, rrjedhimisht, të realizonte objektivin për të cilin ishte lidhur. Për këtë arsye, të drejtat që burojnë prej saj do të kërkojnë mbrojtje përmes mekanizmave ligjorë dhe gjyqësorë”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka akuzuar institucionet se për muaj të tërë kanë penguar kompaninë që të hyjë në kantier dhe të përfundojë punimet.
“Është e pamundur të kërkohet përgjegjësi për vonesa nga një kompani që për muaj të tërë është penguar nga policia e shtetit fizikisht të hyjë në kantier dhe të kryejë punën për të cilën ishte kontraktuar”, ka thënë ai.
Sipas biznesmenit kosovar, aeroporti ishte në fazën përfundimtare dhe kishin mbetur vetëm disa instalime të sistemeve, testimet finale, pastrimi dhe përgatitja për operim.
“Ky është projekti i parë në historinë e Mabetex që nuk ka arritur të përfundohet. Jo për mungesë kapaciteti teknik, financiar apo profesional, por sepse kompania u privua nga e drejta për të vazhduar punimet”, ka theksuar Pacolli.
Ai ka thënë se bllokimi i kantierit dhe moszbatimi i detyrimeve kontraktore kërkojnë një hetim institucional dhe ligjor.
“MABCO në këtë histori është dashur të mbrohet nga tentativat për mashtrim, vendimet kontradiktore dhe joligjore të gjykatësve të ndikuar, indiferenca apo mbështetja institucionale ndaj personave që vepronin jashtëligjshëm dhe me vetëgjyqësi”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka shtuar se çdo dokument dhe fakt do t’u paraqitet përfaqësuesve ligjorë dhe gjykatave kompetente, duke shprehur bindjen se një proces i rregullt ligjor do të nxjerrë në pah përgjegjësitë.
“Ua kemi borxh qytetarëve të Shqipërisë të bëjmë transparente çdo dokument dhe fakt: si, kur, ku dhe pse ka ndodhur i gjithë rrugëtimi ynë legal”, ka përfunduar Pacolli./Telegrafi.






































