Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka ushtruar të drejtën e votës në Pejë, me ç’rast u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proces që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore.

Radoniqi tha se KQZ-ja ka qenë e angazhuar intensivisht në përgatitjet për ditën e zgjedhjeve dhe se të gjitha procedurat e nevojshme janë përmbyllur me kohë.


“Sot fillon dita e zgjedhjeve. Për këtë ditë KQZ-ja ka qenë e angazhuar për përgatitje dhe të gjitha përgatitjet deri më sot kanë përfunduar. Besoj që edhe në të gjithë territorin e Kosovës ka filluar në orën 7:00 procesi zgjedhor. Ju bëj thirrje qytetarëve që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dje është votuar në përfaqësitë tona diplomatike”, ka thënë ai.

Radoniqi po ashtu përsëriti thirrjen për respektim të plotë të ligjit dhe procedurave zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët dhe të gjithë akterët e përfshirë që procesi të zhvillohet në frymë demokratike dhe në përputhje me rregullat në fuqi. /Telegrafi/