Kosova po zhvillon procesin e votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në të gjithë vendin.


Megjithatë, në redaksinë e Telegrafit ka mbërritur një video në të cilën një qytetar shpreh shqetësime lidhur me markerin që përdoret për shënjimin e votuesve para votimit.

Sipas pretendimit të tij, ngjyra e markerit po largohet lehtësisht nga gishti, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur shenja mbetej e dukshme për disa ditë.

Në pamjet e dërguara, shihet se ngjyra e vendosur në gisht mund të hiqet me një pecetë, gjë që ka ngritur shqetësime për efektivitetin e këtij mekanizmi identifikues.

Megjithatë, nuk dihet nëse rasti i paraqitur në video është i izoluar apo nëse bëhet fjalë për një problem më të gjerë me markerët e përdorur në këto zgjedhje.

Institucionet përgjegjëse nuk kanë dalë ende me ndonjë sqarim lidhur me këtë pretendim.

Kujtojmë se markerët përdoren si një nga masat për të parandaluar votimin e shumëfishtë dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. /Telegrafi/