Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se dita e zgjedhjeve në Kosovë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente, gjatë vizitave të tij në qendrat e votimit në kuadër të ushtrimit të monitorimit “Diplowatch”, të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në një deklaratë ai tha se së bashku me ekipet e ambasadës gjermane po vëzhgojnë procesin zgjedhor në disa lokacione.


“Përshëndetje, sot është dita e zgjedhjeve në Kosovë dhe, me vendosmërinë për të vëzhguar procesin, po marrim pjesë me katër ekipe në ushtrimin e monitorimit të zgjedhjeve të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë”, u shpreh Rudolph.

Ai shtoi se aktualisht po viziton qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinë, duke vlerësuar ecurinë e procesit.

“Aktualisht jam duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinën e saj. Gjithçka që kam parë deri tani duket e qetë dhe po zhvillohet pa probleme”, tha ambasadori.

Në fund, ambasadori gjerman tha se pret me interes publikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

“Prandaj, presim me interes rezultatet e zgjedhjeve sonte. Shihemi atëherë", tha ai. /Telegrafi/