Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare, Demokracia në Veprim (DnV) në një konferencë për media ka prezantuar rezultatet preliminare të procesit të sotëm të zgjedhor.

Sipas rezultateve preliminare të DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 42.7 %, e dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 21.5 % , e treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.7% dhe Aleanca me 7.1 %.


"Në rezultatet preliminare nuk janë të përfshira votat nga jashtë dhe votat me kusht. Pragu zgjedhor prej 5% aplikohet për subjektet politike që nuk garojnë për vendet e rezervuara. Margjina e gabimit është për rezultatet e secilit subjekt politik dhe këto rezultate reflektojnë 75% të mostrës, dhe rezultatet mund të pësojnë ndryshime brenda margjinave të gabimit", tha Ismet Kryeziu.

Sipas DnV-së pjesëmarrja në këtë proces zgjedhor është më e ulëta në pesë vitet e fundit.

"Dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 37%. Në këtë përqindje nuk është përfshirë dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit. Rikujtojmë se dalja e votuesve në zgjedhjet e parlamentare të 28 Dhjetorit 2025 sipas DnV-së ishte 45%, 8% më e lartë se në këto zgjedhje. Në zgjedhjet e 9 shkurtit në intervalin e njejtë kohor ishte 44.1%, ndërsa dalja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021 ishte 48,78%", u shpreh përfaqësuesi i DnV-së.

Ai shtoi se këtë proces zgjedhor e kanë karakterizuar problematika që lidhen me vështirësitë e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë, përkundër që atyre u ishte ofruar mundësia nga KQZ, që përmes linkut ose përmes shkuarjes në KQZ t’a konfirmojnë Qendrën e tyre të votimit dy muaj para zgjedhjeve.

"Këto zgjedhje kanë shënuar rënie të ndjeshme të rasteve të votimit me asistencë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndonëse analiza më të detajuara do të nevojiten pas përfundimit të procesit për të kuptuar më mirë arsyet e këtij ndryshimi, të dhënat nga vëzhgimi tregojnë se zbatimi më i rreptë i rregullave për votimin me asistencë ka ndikuar në uljen e numrit të këtyre rasteve", u shpreh Kryeziu.

DnV i përgëzoi të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre të votës dhe kontribuan në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, të qetë dhe përgjithësisht të rregullt. Po ashtu, vlerësoi angazhimi i KQZ-së për administrimin e procesit zgjedhor, pavarësisht afateve të shkurtra për organizim. /Telegrafi/