Voton Osmani, bën thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik.
Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili i kontribuon demokracisë dhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Njëkohësisht i falënderoj të gjitha institucionet që gjatë ditës do të jenë në terren për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, tha ajo.
Ajo e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një ditë të rëndësishme për Kosovën, duke shprehur besimin se qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit.
“Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të festojë dhe do të fitojë”, u shpreh Osmani.
Sipas saj, vota e qytetarëve do të krijojë rrugën për formimin e institucioneve të reja dhe për tejkalimin e situatës politike në vend.
“Jam e bindur se me votën e qytetarëve do të hapet rruga për krijimin e institucioneve dhe që qytetarët ta nxjerrin vendin nga kriza. Pas publikimit të rezultateve, do të kemi arsye ta shohim Kosovën gjithnjë e më lart”, deklaroi Osmani. /Telegrafi/




































