Ambasada e ShBA-së në Kosovë hap konkurs online për talentët e rinj në muzikë - shansi për të performuar më 4 Korrik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka lansuar një thirrje publike për muzikantët dhe zërat e rinj në vend, duke i ftuar të bëhen pjesë e një fushate të veçantë në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku shfaqen pamje festive me flamuj amerikanë, atmosferë celebrimi dhe një mesazh informues për pjesëmarrjen, Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të regjistrojnë interpretimin e një kënge amerikane dhe ta publikojnë në rrjete sociale.
“Vëmendje Kosovë! Po kërkojmë muzikantë të talentuar për të qenë pjesë e festës sonë historike për 250-vjetorin. Ja si funksionon”, thuhet në mesazhin shoqërues të videos.
Sipas udhëzimeve të Ambasadës, të interesuarit duhet të zgjedhin njërën nga tre këngët amerikane të përfshira në fushatë:
- The Star-Spangled Banner
- America the Beautiful
- My Country ’Tis of Thee
Më pas, pjesëmarrësit duhet të regjistrojnë veten teksa performojnë këngën e zgjedhur dhe ta postojnë videon publikisht në Facebook ose Instagram, duke etiketuar @kosovo.usembassy dhe duke përdorur hashtagun #KosovoSingsFreedom250.
Ambasada ka njoftuar se fushata do të jetë e hapur deri më 12 maj, ndaj u ka bërë thirrje qytetarëve që ta publikojnë videon sa më shpejt. Po ashtu, në njoftim theksohet se Ambasada e SHBA-së mund të kontaktojë disa nga aplikimet e përzgjedhura, të cilat do të kenë mundësinë të këndojnë në eventin zyrtar të 4 Korrikut, që organizohet tradicionalisht me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Kjo iniciativë synon të përfshijë komunitetin lokal në një mënyrë kreative dhe festive, duke vënë në qendër talentin muzikor dhe bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/






























































