Një zjarr gjatë natës ka përfshirë shtëpinë e Driton Pllanës në fshatin Dolak të Vushtrrisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke tronditur familjen.

Sipas familjarëve, dyshimet e para lidhen me problemet e vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike dhe, siç thonë ata, tensionin e dobët në rrjet, që sipas tyre ka qenë shqetësim i përsëritur në zonë.


Ata pretendojnë se për një periudhë të gjatë kanë adresuar ankesa, thirrje dhe peticione drejt KEDS-it, duke kërkuar ndërhyrje për stabilizimin e furnizimit me rrymë.

Sipas tyre, ekipet e kompanisë kanë dalë disa herë në terren, kanë kryer matje dhe kanë konstatuar se problemi ekzistonte, madje – siç shprehen – ishte përmendur edhe nevoja për një ndërhyrje emergjente në linjë.

“Kur qytetarët paralajmërojnë me kohë dhe institucionet përkatëse nuk veprojnë, pasojat nuk mbesin vetëm materiale – ato prekin familje dhe zemra”, thuhet në reagimin e familjarëve.

Të afërmit e përshkruajnë Driton Pllanën si njeri punëtor dhe të përkushtuar, i cili, sipas tyre, siguronte jetesën e familjes me shumë sakrificë.

Familjarët dhe banorët e fshatit kanë bërë thirrje që institucionet përgjegjëse dhe KEDS-i të tregojnë përgjegjësi dhe përkrahje për familjen, me qëllim që shtëpia të rindërtohet sa më parë. /Telegrafi/